Borrell: Sytë e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor janë në Ohër
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se sytë e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor janë sot në Ohër.
Në këtë qytet të Maqedonisë së Veriut mbahet sot një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë ndërmjetësues të takimit.
Borrell shkroi në Twitter se në agjendë të bisedimeve është aneksi i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kurti takon ndërmjetësuesit evropianë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nisi takimin me ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi.
Paraprakisht, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takuan presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në fund do të zhvillohet takimi i përbashkët.
Anketë e REL-it
Nga dhoma e pritjes së gazetarëve
Dhjetëra gazetarë po përcjellin zhvillimet e sotme në Ohër.
Kujtojmë se në këtë qytet të Maqedonisë së Veriut zhvillohet sot një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe ekipi i Radios Evropa e Lirë.