Escobar: Presim finalizim të aneksit të zbatimit të propozimit evropian
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, foli të shtunën për Radion Evropa e Lirë në Ohër, ku pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më poshtë mund të lexoni disa pjesë nga biseda, ndërsa të plotën do të mund ta lexoni së shpejti në evropaelire.org.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, teksa flasim, liderët e Kosovës dhe Serbisë janë duke zhvilluar një takim në kuadër të dialogut, këtu në Ohër. Ditëve të fundit ju kemi dëgjuar duke folur për shpresat që keni për këtë takim. Por, cilat janë pritjet tuaja realiste nga dita e sotme?
Gabriel Escobar: Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike. Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është vërtet një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi.
Radio Evropa e Lirë: A jeni takuar sot me të dy liderët?
Gabriel Escobar: Jo sot, por i kam takuar këtë javë. Jam takuar së fundi me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe shpresoj të takohem me presidentin [e Serbisë, Aleksandar ] Vuçiq, më vonë gjatë ditës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, ka pasur shumë presion që marrëveshja të arrihet në muajin mars. Pse është aq i rëndësishëm ky afat kohor?
Gabriel Escobar: Janë disa arsye. E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian prej Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit. Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por të konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo e hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve mes disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike.
Kovaçevski: Maqedonia e Veriut mbështet dialogun Kosovë-Serbi
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se mbështet dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, duke shtuar se ai është zgjidhje e duhur për konsolidimin e paqes në rajon.
Vendi i tij është sot nikoqir i një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Do të doja të nënvizoj se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është zgjedhur rastësisht. Shteti jonë, i mbështetur nga BE-ja, ka bërë një hap historik. Ne jemi bërë anëtar i NATO-s. Besojmë se dialogu është e vetmja mënyrë për të arritur progres. Vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”, tha Kovaçevski në një konferencë për media në Ohër.
Stoltenberg pret përparim në takimin në Ohër
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoletenberg, tha se bisedimet në Ohër janë të rëndësishme dhe se pret nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të angazhohen në mënyrë konstriktive dhe të bëjnë përparim.
“Ky është çelësi për stabilitet të qëndrueshëm dhe të ardhme evropiane dhe euro-atlantike të rajonit”, shkroi Stoltenberg në Twitter.
Ai shtoi se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të vazhdojë të punojë për një Kosovë të qëndrueshme dhe paqësore.
Nisin takimet dypalëshe
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po zhvillon një takim me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Pas tij, shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do t’i takojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas agjendës paraprake, në fund do të pasojë takimi i përbashkët.
Vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për informacione në kohë reale.