Escobar flet për REL-in
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, foli të shtunën për Radion Evropa e Lirë.
Escobar do të marrë pjesë në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e vëzhguesit.
Intervistën do të mund ta lexoni së shpejti në evropaelire.org.
Vuçiq takon kryeministrin e Maqedonisë së Veriut
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi në Ohër kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Takimi u zhvillua në prag të bisedimeve të Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim në Instagram, Vuçiq e falënderoi Kovaçevskin për mikpritje dhe dëshirën e tij “për të kontribuar në vazhdimin konstruktiv të dialogut”.
Kurti: Do të kemi bisedime për planin e zbatimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka ende pajtim sa i takon planit të zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Duke folur për gazetarët në Ohër, ai tha se për tekstin e këtij plani do të diskutohet gjatë takimit të sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit, sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje”, tha Kurti.
“Përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim të mirë, me vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të raporteve”, shtoi Kurti.
Ai u zotua se do të bëjë "më të mirën për Kosovën dhe të gjithë qytetarët, pa dallim".
Ndërmjetësuesit evropianë në Ohër
Bisedimet e sotme midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të ndërmjetësohen nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.