Përfundojnë diskutimet në Ohër
Pas më shumë se dhjetë orë bisedimesh, rundi i dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar, bëri të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Pas përfundimit të këtij rundi bisedimesh, pritet që të ketë një deklaratë për media nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Rinisin bisedimet në Ohër
Pas pauzës së dytë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut ka rinisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi, që po ndërmjetësohet nga zyrtarët evropianë, ka në agjendë planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Sërish pauzë në Ohër
Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, liderët e Kosovës dhe Serbisë, kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet, për t’u rikthyer sërish pas një pauze.
Takimet në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën në orën 10:30.
Fillimisht, Kurti dhe Vuçiq, zhvilluan takime veç e veç me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas nisi takimi trepalësh, ku palët diskutuan për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Më herët gjatë ditës, takimi trepalësh u ndërpre për mbi një orë, po ashtu për shkak të një pauze.
Gazetarët në pritje pas nëntë orë bisedime
Teksa liderët e Kosovës dhe Serbisë po zhvillojnë bisedime nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shumë gazetarë janë duke e përcjellë këtë ngjarje nga qendra mediale në Ohër.
Qendra mediale është vendosur në një objekt tjetër, afër vilës ku po mbahen bisedimet.
Bisedimet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur nëntë orë më parë.