Më shumë se 1,170 punonjës shëndetësorë në Kosovë janë të infektuar me variantin Omicron të koronavirusit.
Prej tyre, 700 janë infermierë, 290 mjekë dhe 280 pjesëtarë të stafit mbështetës, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.
Sipas tij, në sektorin publik të shëndetësisë punojnë më shumë se 14 mijë punonjës - çfarë do të thotë se mbi tetë për qind e tyre janë të infektuar.
Syla thotë se izolimi i tyre krijon “mungesa jashtëzakonisht të mëdha” në ofrimin e shërbimeve.
Sipas rregullave të nxjerra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, personi që rezulton pozitiv me koronavirus, mund ta zvogëlojë izolimin nga dhjetë ditë në shtatë, nëse rezulton negativ dy herë me test PCR ose me test të shpejtë.
Testet duhet të kryhen në ditën e 6-të dhe në ditën e 7-të nga diagnostikimi, me një diferencë kohore prej 24 orësh.
Për punëtorët shëndetësorë, sipas rregullave të IKSHPK-së, vetizolimi mund të shkurtohet në pesë ditë, nëse i infektuari rezulton negativ një herë me test PCR ose me test të shpejtë.
Ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar shifra të larta të të infektuarve me koronavirus, të papara në ndonjë fazë tjetër të pandemisë.
Të premten, janë konfirmuar 3,617 raste të reja dhe katër viktima.
Numri i rasteve aktive ka kaluar 31,000. Prej tyre, 157 veta janë të shtrirë në spitale.
Në Klinikën Infektive në Prishtinë, të shtrirë janë 78 pacientë me koronavirus.
“Të lirë janë edhe 20 shtretër [në Klinikën Infektive]”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj.
“Nëse vazhdon ky trend, pritet hapja e Mjekësisë sportive... Kemi nisur të emërojmë infektologë që do të angazhohen në Mjekësinë sportive”, paralajmëron Vishaj.
Sipas autoriteteve shëndetësore, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme nëpër komuna ka deri në 1,600 shtretër për të gjitha shërbimet. Brenda QKUK-së, kapaciteti arrin deri në 700 shtretër.
Nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e infermierëve të infektuar e mbingarkon stafin aktiv në punë.
Megjithatë, shton ai, situata vazhdon të jetë “më e qetë” nëse krahasohet me fazat paraprake të pandemisë.
Në muajt gusht dhe shtator ka pasur ditë kur numri i pacientëve të hospitalizuar me koronavirus ka kaluar 1,000-shin.
Atëbotë, variant dominues i koronavirusit në Kosovë besohet se ka qenë Delta, i cili edhe ka shkaktuar simptoma më të rënda.
Aktualisht, besohet se dominon varianti Omicron, i cili, sipas profesionistëve shëndetësorë, përhapet më shpejt, por përcillet me simptoma më të lehta.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, ka thënë të enjten para Kuvendit të Kosovës se spitalet kanë nevojë për më shumë staf dhe për përmirësim të cilësisë së shërbimeve të kujdesit intensiv, por nuk ka dhënë detaje për hapat që mund të ndërmerren.
Latifi ka thënë se shkurtimi i periudhës së izolimit për punonjësit shëndetësorë, të infektuar me koronavirus, është bazuar në praktikat e Shteteve të Bashkuara.
SHBA-ja e ka përgjysmuar kohën e izolimit për personat që janë të infektuar me koronavirus - por pa simptoma - nga dhjetë ditë në pesë.
Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA kanë thënë se izolimi pesëditor duhet të përcillet me pesë ditë tjera të vendosjes së maskës, kur personi i infektuar është afër personave tjerë.
Facebook Forum