Interesimi i shtuar i punonjësve shëndetësorë për t’u imunizuar kundër koronavirusit me dozat e vaksinës së Pfizer/BioNTech dhe hezitimi i tyre për vaksinim me vaksinat e AstraZenecas, dërgon mesazh negative te popullata, thonë drejtues të shoqatave që mbrojnë mjekët dhe pacientët.
Kosova në fund të muajit mars, kishte pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat u shpenzuar në fund të muajit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë vaksinuar rreth 5,000 punonjës shëndetësor nga 15,000 sa llogariten në sektorin publik dhe privat. Deri më tash nuk është shënuar asnjë rast që ka pasur ndonjë efekt anësor nga kjo vaksinë.
Kurse, nga dita e mërkurë, më 5 maj, kur në Kosovë rinisi fushata e imunizimit me vaksinën Pfizer/BioNTech, është vërejtur një interesim më i madh nga stafi shëndetësor për vaksinim. Vaksinimi ka filluar pas arritjes së 4,680 dozave, që janë donacion nga Bashkimi Evropian.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, për tre ditë janë vaksinuar mbi 2,000 punonjës shëndetësorë.
Syla: Stafi shëndetësor nuk duhet të zgjedhë llojin e vaksinës
Blerim Syla nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë, thotë se procesi i vaksinimit të stafit shëndetësor është dashur të përfundojë me vaksinën e AstraZenecas dhe sipas tij, punonjësit shëndetësorë nuk duhet të përzgjedhin llojin e vaksinës që marrin.
“Disa nga kolegët kanë rënë në gracën e teorive konspirative dhe luftën në mes kompanive të mëdha të prodhimit të vaksinave si AstraZeneca, Pfizer/BioNTech, Moderna apo Johnson & Johnson, për përparësinë që kanë. Kjo ka qenë një ndër arsyet që dikush ka hezituar të marrë (vaksinën). Ky nuk është shembull i mirë për popullatën. Unë kam qenë ithtar i asaj që punonjësit shëndetësorë të gjithë të vaksinohen me kohë dhe jo të zgjedhin llojin e vaksinës sepse është pjesa tjetër e popullatës, e cila pret më padurim të vaksinohet me cilëndo vaksinë”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se dozat e vaksinës, në fazën e dytë të planit të imunizimit, do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët, për arsye shëndetësore, nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë.
Kodra: Refuzimi i mjekëve nuk është etik dhe as njerëzor
Hezitimi i ekipit shëndetësor për marrjen e vaksinës AstraZeneca, ka dërguar mesazh të keq për qytetarët, thotë edhe Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve. Ai shprehet se në Kosovë nuk ka komoditet që dikush të zgjedhë llojin e vaksinës, derisa njerëzit tjerë vdesin në pritje të saj.
“Ka qenë i papritur një refuzim aq i madh i stafit shëndetësor për të marrë një vaksinë, siç ka qenë AstraZeneca ose një prodhuesi tjetër. Për ne ka qenë edhe befasi që me ardhjen e vaksinës Pfizer, është rritur interesimi i të njëjtëve që kishin refuzuar të marrin këtë vaksinë. Të refuzosh njëherë dhe pastaj të futesh prapë në listë nuk është etike, humane dhe as njerëzore në raport me pacientët tjerë. Liria e njerëzve nuk mund të ndërtohet mbi bazën e shkeljeve të drejtave dikujt tjetër”, shprehet Kodra.
Kodra thotë se përderisa Kosova ka mungesë të vaksinave dhe në anën tjetër ka shumë grupe të rrezikuara të shoqërisë, është e padrejtë dhe diskriminuese që, siç shprehet ai, të privilegjohet stafi shëndetësor.
Ai kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që të gjithë ata punëtorë që kanë refuzuar të vaksinohen kur e kanë pasur radhën, të vendosen në fund të listës së pritjes.
Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për media, ka thënë se “aludimet nga kushdo qoftë se ka pasur refuzim të vaksinimit apo pritje të përzgjedhjes së llojit të vaksinës, nuk janë të bazuara”.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mundur të nënshkruajë ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe çdo vaksinë e siguruar deri tash, është donacion nga Bashkimi Evropian ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Njëherësh, Kosova është vendi i fundit që ka nisur procesin e vaksinimit.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë pohuar se javën e ardhshme pritet të arrijë kontingjenti tjetër i vaksinave, që përsëri do të jetë donacion.
Shteti fqinj, Serbia, ndërkaq renditet në mesin e vendeve me vaksinimin më të madh të popullsisë, por si kudo tjetër, ritmi i administrimit të dozave ka rënë javëve të fundit.
Sipas shifrave të Qeverisë serbe, 1.3 milion njerëz janë vaksinuar plotësisht me vaksinat Sinopharm, Pfizer, Sputnik V ose AstraZeneca. Kurse së fundmi, Serbia ka njoftuar se do t’i paguajë qytetarët e saj për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, në përpjekje për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.
Sipas programit stimulues, Qeveria serbe do të paguajë 3,000 dinarë (30 dollarë) për këdo që merr të paktën një dozë të vaksinës deri në fund të majit.
Një nga vendet e rajonit që ka ecur mirë me vaksinim është edhe Shqipëria kur deri tash janë vaksinuar mbi 572 mijë persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, në këtë shtet kanë arritur 746 mijë vaksina kundër koronavirusit.
Facebook Forum