Ndërlidhjet

Ndryshimi i kufirit akomodon apetitet hegjemone


Harta e Kosovës.
Harta e Kosovës.

Ideja e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje eventuale për arritjen e një marrëveshje juridikisht obliguese ndërmjet dy vendeve, e cila u nxor në pah që nga mesi i vitit të kaluar, ka nxitur debate te ashpra në Kosovë.

Në opinion, kjo ide është parë në forma, opsione dhe koncepte të ndryshme, si korrigjim i kufirit, si ndarje e Kosovës dhe si shkëmbim i territoreve ndërmjet dy vendeve.

Por, cilat janë dallimet ndërmjet këtyre koncepteve?

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se dallimet ndërmjet këtyre tri koncepteve janë të thella dhe substanciale.

Sipas tij, korrigjimi i kufirit është praktikë ndërkombëtare, e cila aplikohet në fazat finale të caktimit të kufirit, përkatësisht, demarkacionit dhe shënimit në terren të kufirit, në rastet kur kufiri ndërmjet dy shteteve është i caktuar dhe dihen kriteret e identifikimit të tij.

“Korrigjimi nuk nënkupton ndryshim të sovranitetit territorial. Kurse copëtimi dhe shkëmbimi i territorit nënkupton ndryshim të sovranitetit territorial. Te korrigjimi (i kufirit), pikat e policisë, autoriteti publik i Kosovës, nuk ndryshon, mbetet si ka qenë. Në disa vende shkon rreth 500 metra më andej dhe në disa tjera, më këndej. Kurse, të shkëmbimi ose shkëmbimi i territoreve, sovraniteti territorial ndryshon komplet, prej policisë, ushtrisë, doganave, tatimeve, shtetësisë, borxhit të jashtëm, pronave dhe gjithçka që lidhet me sovranitetin territorial. Ajo çka synon Serbia, është copëtimi (ndarja) e Kosovës. Nuk flitet për shkëmbim të territorit, por copëtim i Kosovës, me qëllim të akomodimit të apetiteve hegjemoniste serbe”, theksoi Hasani.

Ndarja e territorit dhe shkëmbimi i territorit, si koncepte, siç thotë profesor Hasani, kryesisht lidhen me proceset e krijimit të shteteve të reja dhe proceset e dekolonizimit. Ky koncept, jo domosdo ka të bëjë me shtetet që janë tradicionalisht sovrane dhe të pavarura, por zakonisht aplikohet për akomodimin e ambicieve hegjemone të shtetit pararendës, i cili është më i fuqishëm në kontekstin kolonial dhe synon marrjen e territoreve.

Idenë për ndryshimin kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur “korrigjim të kufirit”, duke theksuar se në një proces të tillë, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, komuna këto në jug të Serbisë, do t’i bashkoheshin Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një proces të tillë eventual, e ka quajtur “caktim të kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e Serbi”.

Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur drejtuesit institucionalë në Kosovë dhe në Serbi flasin për koncepte të ndryshme të ndryshimit të kufirit, ata afërsisht flasin për të njëjtën gjë. Mirëpo, sipas tij, secila palë përdorë emërtime dhe fjalë të ndryshme, për të tingëlluar më e pranueshme në opinion e brendshëm, e sidomos në atë politik.

“Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar. Në momentin që flasim qoftë për korrigjim apo çka do tjetër, ne po flasim për hapjen e diçkaje që tashmë konsiderohet e mbyllur. Kështu që nuk është i rëndësishëm termi, sepse në këtë rast më shumë ta quajmë ‘vërtitje’ politike. Kurse, sa i përket marrëveshjes, kur flasim për sovranitetin e Kosovës, në çfarëdo rrethane, kjo marrëveshje duhet të bëhet në mes të dy shteteve. Nuk mund të ketë marrëveshje për kufirin, pa njohje. Çka do që pranon Kosova të korrigjojë nga e saj, fillimisht do të thotë të pranohet se Kosova e ka në njëfarë forme kontrollin efektiv mbi atë kufi aktual, qoftë në aspektin juridik apo atë politik”, tha Maliqi.

Përndryshe, profesor Hasani, thekson që për ta ruajtur sovranitetin shtetëror dhe territorial, Kosova mund të pranojë vetëm korrigjimin e kufirit, por sipas kritereve që tashmë janë të aplikueshme.

“Për Kosovën mund të vlejë eventualisht korrigjimi (i kufirit) me rastin e caktimit final në terren, kur përcaktohet vija kufitare. Korrigjimi nënkupton vetëm 500 metra, sipas standardeve dhe praktikave ndërkombëtare. Por, ajo nuk nënkupton shtyrje e njëanshme. Korrigjimi nënkupton kur çdo herë kompensohet me 500 metra andej dhe 500 metra këndej. Do të thotë, në momentin që, ta zëmë, në Jarinë, Kosova shkon ma thellë në Serbi, atëherë në një pikë tjetër kufitare Serbia futet më këndej”, theksoi Hasani.

Në anën tjetër, analisti Maliqi, nuk sheh mundësinë që një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihet tash për tash, pa e prekur mundësinë e ndryshimit të kufirit. Por, sipas tij, aktualisht Kosova është nën presion të madh, por edhe me garanci të fuqive të mëdha, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që t’i qaset dialogut.

“Po bëhet fjalë për njohjen e drejtpërdrejtë nga Serbia, në këtë moment. Por, me sa po kuptohet e vetmja lloj marrëveshje, përmes të cilës Serbia do ta bënte këtë gjë, në këtë moment, përfshin edhe njëfarë loje me kufi. Nëse kjo dështon tani, unë dyshoj që nga ana e Serbisë do të mund të ketë interesim për ta vazhduar dialogun seriozisht në këtë fazë. Ndoshta mund të ketë edhe një vazhdim të atij procesit të mëparshëm të dialogut, me marrëveshje të pjesshme dhe të ngjashme, por jo diçka që mund të çojë drejt njohjes”, vlerësoi Maliqi.

Sidoqoftë, presidenti i Kosovës, Thaçi ka thënë se viti 2019 do të jetë vit i marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje, sipas tij, do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë dhe pranimin e Kosovës në OKB.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se do të pranojnë çdo marrëveshje për të cilën pajtohen të dyja palët, por Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i ndarë lidhur me idenë e ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e mundshme e kontestit Kosovë-Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG