Shishe të plastikës, bidonë dhe mbetje të tjera kanë mbuluar një pjesë të lumit Lepenc në Kaçanik. Ky lokacion nga banorët lokalë njihet si “Guri i shpuar”. Lumi Lepenc është një prej lumenjve më të prekur nga dëmtimi dhe ndotja. Në rrjedhën e Lepencit janë ndërtuar disa hidrocentrale. Aty derdhen edhe ujëra të zeza dhe hidhen mbeturina.
Lepenci, sikurse lumenj të tjerë në Kosovë, përballet me ndotje dhe degradim të vazhdueshëm. Raporti i organizatës Dplus, ‘Politika në praktikë - sfidat nga ndotja e lumenjve dhe menaxhimit të mbeturinave në Kosovë’, i vitit 2023, ka gjetur se shfrytëzimi i paligjshëm i zhavorrit, derdhja e ujërave të zeza nga qytetarët dhe bizneset në lumenj, pa u trajtuar në impiante, mbetjet e shumta në rrjedhat e lumenjve dhe mbetjet inerte përgjatë brigjeve të tyre, janë faktorët kryesorë që po degradojnë pasuritë kryesore natyrore të Kosovës. Sipas këtij raporti, ndotja më e madhe e lumit shkaktohet nga derdhja e ujërave të zeza nga shtëpitë dhe bizneset, “ishujt” e qeseve plastike dhe mbeturina tjera. Përmirësimi i situatës, sipas raportit, është i vështirë për shkak se buxheti për sektorin e ujit është i pamjaftueshëm.