Ndërlidhjet

Prokuroria “së shpejti” me aktakuzë për Haradinajn


Haradinaj: Nuk e njoh këtë gjykatë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Haradinaj: Nuk e njoh këtë gjykatë

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj doli të martën për herë të parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë, nën dyshimet për pengim të drejtësisë, teksa mbrojtja e tij kerkoi lirimin e tij.

Gjatë paraqitjes së tij, Haradinaj përsëriti qëndrimin se nuk i njeh Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale.

"Nuk e kam njohur këtë gjykatë, nuk e njoh dhe nuk do ta njoh. Jeni me mandat të skaduar që nga 2 gushti", tha Nasim Haradinaj. Ai akuzoi skenën politike në Kosovë se për "poste dhe rroga të veta" e kanë "thyer Kushtetutën" për këtë Gjykatë.

Kundër Haradinajt ende nuk ka aktakuzë të ngritur, megjithatë Prokuroria në Hagë tha se këtë do ta bëjë së shpejti.

Haradinaj u arrestua më 25 shtator në një lagje të Prishtinës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, thuhej në njoftimin e këtyre dhomave.

Zyrtarë të Dhomave të Specializuara, gjatë seancës thanë se arrestimi i Haradinajt ishte i domosdoshëm sepse "rrethanat tregojnë se ekziston rreziku i arratisjes së tij, se ka motiv, mjete dhe mundësi për të penguar ecurinë e procedurës" dhe se ai do të përsëriste veprën penale të cilën dyshohet se e ka kryer.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që të parashtrojë aktakuzën sa më shpejt që të jetë e mundur. Teksa ia lexoi të drejtat, i tha Haradinajt se ka të drejtë të kërkojë që të lirohet nga paraburgimi nëse brenda një viti ndaj tij nuk ngritet aktakuzë. Gjithashtu, Guillou shtoi se do të rishikojë paraburgimin e tij, të paktën një herë në dy muaj.

Gjyqtari Nicolas Guillou
Gjyqtari Nicolas Guillou

Prokuroria: Dëshmitarët ndihen të kërcënuar

Prokurorja Valeria Bolici deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar po punon shumë shpejt për të dorëzuar një aktakuzë kundër Haradinajt.

"Ka disa hapa hetimor që po i ndërmerr Zyra jonë për të siguruar që të dorëzohet aktakuza së bashku me të gjitha materiale mbështetëse dhe materialet e tjera relevante, për të krijuar një dosje të plotë dhe shterruese", tha Bolici.

"Zyra jonë është në proces të mbledhjes se informacionit nga dëshmitarë të shumtë, të cilët i kanë përcjell Zyrës sonë se ndihen të kërcënuar dhe të frikësuar për shkak të arsyeve që janë përmendur për arrestimin e zotit Haradinaj", shtoi ajo.

Mbrojtja: Haradinaj nuk është i akuzuar për krime lufte

Ndërkaq, avokati i Haradinajt, Bes Martens njoftoi se mbrojtja ka ngritur mocion për hedhjen poshtë të pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar dhe mocion për lirimin e klientit të tij.

“Ky është një tribunal për krime lufte dhe klienti im nuk është i akuzuar për krime lufte”, tha Martens.

Ndryshe, më 25 shtator është arrestuar edhe kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili dyshohet po ashtu për pengim të drejtësisë. Seanca e parë ndaj tij është caktuar të mbahet më 1 tetor.

Arrestohen krerët e veteranëve të UÇK-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Gucati u arrestua në zyrat e kësaj organizate, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu një aksion bastisjeje që zgjati më shumë se tetë orë.

Arrestimi i Haradinajt dhe Gucatit ndodhi pasi kjo organizatë të cilën ata e udhëheqin, tri herë radhazi mbajti konferenca për media ku shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Sipas tyre, një person anonim ka dorëzuar tek OVL e UÇK-së"mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve".

Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi të enjten e kaluar se ka arrestuar nën dyshime për krime lufte edhe Salih Mustafën njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Ky ishte arrestimi i parë në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën, ka zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

Salih Mustafa nuk deklarohet rreth fajësisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:28 0:00

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbrojtja e dëshmitarëve është pikërisht një nga arsyet përse selia e Prokurorisë është në Hagë dhe jo në Kosovë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG