Ndërlidhjet

Papa bën thirrje për dhënien fund të luftës në Ukrainë


Papa Françesku. Fotografi nga arkivi.
Papa Françesku. Fotografi nga arkivi.

Papa Fraçesku u është drejtuar rusëve duke iu kërkuar që të kërkojnë të vërtetën lidhur me pushtimin që shteti i tyre ka nisur ndaj Ukrainës, teksa ka dhënë mesazhin për Pashkët. Ai po ashtu bëri thirrje për dialog mes izraelitëve dhe palestinezëve pas dhunës së fundit.

Françesku mbajti meshën në sheshin e Shën Pjetrit të Vatikanit para 100.000 besimtarëve, disa ditë pasi u hospitalizua për shkak të problemeve shëndetësore.

“Ndihmoni popullin e dashur të Ukrainës në rrugën e tyre drejt paqes, dhe le të bie drita e Pashkëve mbi popullin e Rusisë”, tha ai.

Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar, Françesku të paktën dy herë në javë i është referuar Ukrainës dhe popullit ukrainas që i ka quajtur “martirë” dhe po ashtu ka përdorur shprehje, sikurse agresion dhe mizori, kur u është referuar veprimeve të Rusisë.

Në meshën e Pashkëve, Ati i Shenjtë kërkoi nga Zoti që të “ngushëllojë të plagosurit dhe të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre nga lufta, që të gjithë të burgosurit të kthehen pranë familjeve të tyre. Hapeni zemrën ndaj gjithë komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe të gjitha konflikteve dhe gjakderdhjeve në botë”.

Papa bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, teksa dhuna është rritur së fundmi në Jerusalem, por edhe ka pasur sulme ku janë përfshirë Izraeli, Libani dhe Siria.

Tensionet midis Izraelit dhe palestinezëve u rritën pasi javën e kaluar policia izraelite hyri në xhaminë Al-Aqsa në Jerusalem, që konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë i myslimanëve. Kjo ngjarje nxiti reagimin e ashpër nga bota arabe.

Në mesazhin e tij, Françesku po ashtu bëri thirrje që të ndihmohen viktimat e tërmeteve të shkurtit që vranë pothuajse 56.000 persona në Turqi dhe Siri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG