Ndërlidhjet

Mattis: Vota në referendum më e rëndësishmja në historinë e Maqedonisë


Mesazhi i sekretarit Mattis për qytetarët e Maqedonisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në kuadër të vizitës në Shkup, ka theksuar se referendumi është mundësi unike për të shënuar histori në vend.

“Jemi të gatshëm që t'ju dëshirojmë mirëseardhje si anëtare e 30-të në aleancën tonë”.

“Vota në referendum është vota më e rëndësishme historike e vendit tuaj”, ka theksuar Mattis, duke shtuar se këtë porosi do t'ia përcjell edhe kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov.

Mattis Maqedoninë e ka cilësuar si “shtet partner i përgjegjshëm i aleancës”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, i cili do t'ju mundësojë bashkimin e shtetit tuaj me 29 shtete tjera anëtare në NATO".

"Duke iu bashkangjitur NATO-s, ju do të rritni sigurinë e shtetit tuaj dhe kjo do të sjellë ekonomi dhe siguri më të lartë. Ashtu siç u rritën investimet në Mal të Zi, të njëjtat do të rriten edhe në Maqedoni”, ka thënë sekretari amerikan.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka thënë se vizita e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes vjen në një moment shumë të rëndësishëm para mbajtjes së referendumit, datës kur përcaktohet e ardhmja e Maqedonisë.

Sekretari amerikan James Mattis, pas takimit me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryeministrin Zoran Zaev
Sekretari amerikan James Mattis, pas takimit me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryeministrin Zoran Zaev

“Për Republikën e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në NATO dhe BE”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Zaev njëherësh ka shtuar se “integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen veri-atlantike paraqet edhe stabilitet nga infiltrimi i palëve të treta në rajon”.

Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka theksuar se mbështetja e SHBA-së e ka ndihmuar shumë Maqedoninë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO.

“E bindur se me 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të shprehen se janë për një shtet i cili do të jetë i sigurtë me prosperitet dhe e zhvilluar ekonomikisht. Për një Maqedoni e cila krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë do të kontribuojë për paqen e përbashkët dhe prosperitet”, ka theksuar Shekerinska.

Vizita e Sekretarit Mattis vlerësohet si një nga vizitat më të rëndësishme të personaliteteve ndërkombëtare, në mbështetje të referendumit të 30 shtatorit për ndryshimin e emrit të shtetit, njëherësh zhbllokimin e procesit të integrimit euro-atlantik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG