Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogum, Miroslav Lajçak siguruan se bashkëpunimi ndërmjet SHBA-së dhe BE-së sa i përket dialogut Kosovës-Serbi "është i shkëlqyeshëm dhe nuk mund të ishte më i mirë".
Palmer dhe Lajçak qëndruan në Kosovë, ku u takuan me zyrtarët institucionalë dhe politikë, me qëllim që të përgatisnin takimin e parë të nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq, që pritet të mbahet pas "disa ditësh" në Bruksel.
Më herët, takimi Kurti-Vuçiq ishte paralajmëruar se do të mbahej diku nga mesi i muajit qershor.
Palmer: Palët vendosin për kompromiset në dialog
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.
"Kjo është një gjë që do të bënte që kjo çështje të vihet pas nga palët, do të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE, si për Kosovën ashtu edhe Serbinë", tha Palmer.
Duke komentuar një letër që presidenti amerikan, Joe Biden i dërgoi presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, ku thuhej se për përmbylljen e dialogut kërkohet "fleksibilitet dhe kompromise të vështira", Palmer tha se për kompromiset e mundshme duhet të vendosin palët.
"Nuk është në dorën e SHBA-së që të identifikojë se cilat do të duhej të ishin kompromiset e nevojshme, parametrat e negociatave. Kjo nuk është as punë e mikut tim Lajçak. Kjo u takon palëve. Dialogu nuk udhëhiqet nga SHBA-ja e BE-ja, por udhëhiqet nga palët. Dialogu lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. Prandaj, u takon palëve të formësojnë dhe të pajtohen për parametrat e dialogut dhe të ndihmojnë që procesi të ecë përpara. Ne jemi këtu për të mbështetur, inkurajuar dhe avokuar teksa procesi ecën përpara", tha Palmer.
Ndërkaq, sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Palmer tha se ky asociacion duhet të formohet ashtu siç pajtohen palët.
Lajçak: Vit me potencial për raportet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
I dërguari i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se vizita dyditore në Prishtinë, kishte për qëllim që të siguronte që takimi Kurti-Vuçiq të jetë i suksesshëm.
"Këto takime ishin shumë të dobishme dhe na ndihmojnë ne që të përgatitemi për takimin (në Bruksel)", tha Lajçak.
Ai shtoi se ky vit ka "potencial që të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor. Ka një rritje të interesimit për rajonin në mesin e udhëheqjes së BE-së dhe shteteve anëtare".
Kurti: Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik
Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk ka presion sa i përket rinisjes së dialogut.
“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime dhe me dijen programin tonë, me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do të përfaqësojmë Kosovën”, tha Kurti, teksa foli për mediat nga qyteti i Prizrenit.
I pyetur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.
“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme ti integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndjanë e përçajnë ata”, tha Kurti.
Më 2013, në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, ishte paraparë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Paçarizi: Qëndrimet e Kurtit dhe Vuçiqit vështirë çojnë në marrëveshje
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se deklaratat se koordinimi mes SHBA-së dhe BE-së është i shkëlqyeshëm, japin shpresë për drejtimin që do të marrë dialogu Kosovë-Serbi.
Por, ai shton se i takon palës kosovare që të këmbëngulë për përfshirje të drejtpërdrejt të SHBA-së në këtë proces.
“Çështja është se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është provuar nën udhëheqjen evropiane, por duke mos qenë një trup i vetëm me politikat e jashtme unike të BE-së, ka dështuar t’i shtyjë palët për të respektuar rezultatet e dialogut të nisur në vitin 2011”, thotë Paçarizi.
Shqetësuese, shton Paçarizi, është fakti që të dy përfaqësuesit e BE-së që merren me dialogun, Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell, vijnë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën.
“Po krijohet ideja që sikur nga ky fakt Kosova mund të përfitojë, duke siguruar njohje nga pesë vendet mosnjohje të BE-së. Por, kjo do të ketë një kosto të papërballueshme, pasi me një marrëveshje ku sigurohet vetëm njohja nga e gjithë BE-ja dhe liberalizmi i vizave, pa zgjidhje finale dhe njohje të ndërsjellë, vetëm sa e fut Kosovën edhe me thellë në kurthet e luftërave diplomatike”, thotë ai.
Duke folur për takimin mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njohësi i zhvillimeve politike, Paçarizi thotë se gjykuar nga qëndrimet e fundit të Vuçiqit kundër pavarësisë dhe të Kurtit për njohje të ndërsjellë, vështirë se mund të ketë një marrëveshje, por sipas tij, është e rëndësishme që të rinisë procesi i dialogut.
“Është normale që Vuçiqi të mos deklarohet i gatshëm për të pranuar pavarësinë, pasi që një deklarim i hershëm do të mund ta dëmtonte në planin e brendshëm, pasi do të llogaritej se sikur Vuçiqi është i gatshëm që si president i Serbisë të shkelë Kushtetutën, e cila Kosovën e sheh si pjesë të saj. Të njëjtën situatë e kemi në Kosovë. Nëse të gjithë thirren në Kushtetutë, nuk mund të ketë zgjidhje”, thotë Paçarizi.
Takimet me krerët shtetërorë dhe politikë
Palmer dhe Lajçak më 31 maj zhvilluan takime me liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë.
Pas takimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pret që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë, por duke respektuar integritetin territorial të Kosovës, rregullimin e brendshëm kushtetues dhe shtetëror si dhe funksionalitetin e vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun është “i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.
Ndërkaq, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan nga Palmeri një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënieve, më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore.
Facebook Forum