Ndërlidhjet

Kurti: Me Vuçiqin do të diskutojmë për kapitullin e ri të dialogut


Kurti: Dialogu duhet të sjellë njohje reciproke
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Kurti: Dialogu duhet të sjellë njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takimin e paraparë që të mbahet në mesin e qershorit, mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të dikutohet rreth mënyrës se si do të ecet tutje në procesin e dialogut.

Kurti i bëri këto komente pas një takimi joformal në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe tha se zgjidhja në procesin e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është njohja reciproke.

“Do të jetë diku aty rrotull mesit të qershorit, nuk mund ta them tani saktësisht, mirëpo do të ketë takim për të diskutuar se si të vazhdohet me dialogun më tej, cili duhet të jetë kapitulli i ri i këtij dialogu, me çfarë agjende e kështu me radhë. Pra, kemi nevojë të dakordohemi për procesin përpara, me qenë se nuk mund të vazhdojmë ashtu siç ishte në këto vitet e fundit e me qeveritë e kaluara", tha Kurti.

"Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, shtoi ai.

Kryeminsitri Kurti tha se raundit të ri të dialogut do t’i paraprijë një takim me liderët e partive opozitare në Kosovë dhe një seancë e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet për gjendjen me dialogun, përfshirë edhe rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, siç u shpreh ai, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët.

Ndërkaq, duke folur për takimin e të së martës në Bruksel, nikoqir i të cilit ishte shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, Kurti tha se aty ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai po ashtu tha se janë tri elemente të cilat do të mund ta përshpejtonin integrimin e vendeve të Ballkanit në BE: demokratizimi përmes luftimit të autokracive, sundimi i ligjit duke luftuar oligarkitë dhe ballafaqimi me të kalurën, duke eliminuar nga skena poilitke dhe institucionale kriminelët e luftës.

“Edhe më tej në Ballkanin Perëndimor, siç e dini, kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes të cilët dominojnë me institucionet dhe partitë politike. Kjo duhet të marrë fund dhe në këtë mënyrë besoj që do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë brenda Ballkanit Perëndimor e më shumë besim në të ardhmen, dhe për një bashkëpunim i cili është afatgjatë dhe i drejtë”, tha Kurti.

Liderët e Ballkanit Perëndimor para takimit joformal me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Liderët e Ballkanit Perëndimor para takimit joformal me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Në këtë takim joformal në Bruksel morën pjesë kryeministri i Kosovës, Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrel tha se përkushtimi i bllokut evropian për Ballkanin Perëndimor “është i padiskutueshëm dhe ka nevojë që jetë edhe i dukshëm”.

“Prandaj riktheva traditën e darkave joformale me gjashtë liderët, për të hapur bisedimet politike dhe strategjike mbi të ardhmen tonë të përbashkët”, tha ai.

Kjo është hera e dytë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkon në Bruksel, prej kur ka marrë mandatin në krye të qeverisë.

Herën e kaluar ai ishte në një vizitë për të takuar zyrtarë të institucioneve të BE-së dhe Belgjikës.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur dhjetë vjet më parë. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG