Ndërlidhjet

Roberston: Referendumi është historik, nuk ka alternativë


Fushata për referendumin
Fushata për referendumin

Një grup parlamentarësh evropianë kanë inkurajuar dy vendet, Maqedoninë dhe Greqinë që të vazhdojmë me realizimin e marrëveshjen për çështjen e emrit, me të cilën zgjidhet kontesti shumëvjeçar mes dy vendeve dhe hapet rruga e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, me emrin e ri, Maqedonia e Veriut.

Në kuadër të debatit mbi dialogun politik, zëvendëskryetari i Parlamentit Evropian, Dimitris Papadimulis, kërkoi nga ligjvënësit e Parlamentit Greqisë dhe Maqedonisë që t'i kapërcejnë dallimet dhe ta mbështesin marrëveshjen e arritur më 17 qershor në Prespë.

"Patriotizmi nuk është nacionalizëm. Ta duash shtetin tënd, nuk do të thotë se nuk duhet ta respektosh shtetin tjetër", ka deklaruar Papadimulis duke shtuar se Parlamenti Evropian do ta mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt integrimit në BE.

Disa nga euro-parlamentarët thanë se kompromisi është shumë i rëndësishëm në procesin e afrimit shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tyre, është paradoksale që shtetet të duan të afrohen me Brukselin, por jo edhe me fqinjët e tyre.

Por, euro-parlamentarët nga partitë opozitare greke bënë ditur se nuk do ta mbështetësin marrëveshjen në kohën e votimit të saj në Parlamentin grek, pasi e vlerësojnë të dëmshme për interesat nacionale të Greqisë.

Në kuadër të vizitave të personaliteteve të larta ndërkombëtare, në prag të referendumit është edhe ajo e ish-sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Xhorxh Robertson, i cili referendumin e 30 shtatorit e ka vlerësuar si historik dhe vendimtar për të ardhmen e Maqedonisë.

“Kur isha sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, unë isha i detyruar që këtë vend ta quaja IRJM. Kjo ishte e gabuar dhe kjo mund të ndryshojë përgjithmonë, më 30 shtator. Marrëveshja e arritur me Greqinë garanton identitetin, kulturën dhe gjuhën dhe i hap dyert anëtarësimit në NATO dhe BE. Vendimi është shumë i thjeshtë, tani ose asnjëherë. Nipërit e mi do të thoshin se jeni dhjetë net para hapit historik, pranë hapit më të rëndësishme në histori. Në referendum, qytetarët do të votojnë për të ardhmen e tyre. Alternativë të dytë nuk ka”, ka deklaruar Roberston, në një tubim para qytetarëve në Manastir.

Duke komentuar një paraqitje televizive të liderit të opozitës, Hristijan Mickovski, i cili kryesisht ka folur për marrëveshjen me Greqinë, duke e quajtur kapitulluese për vendin, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase, koordinatori nacional për NATO-n, Stevo Pendarovski, i pranishëm në tubim së bashku me ish kreun e aleancës veri-atlantike , ka thënë se marrëveshja është më e mira e mundshmja që sipas tij garanton të ardhmen dhe identitetin maqedonas.

“Marrëveshja me Greqinë është reale dhe këtu nuk ka asnjë arsye që dikush nga ne të ndihet i turpëruar dhe i nënçmuar. Në këtë marrëveshje nuk ka asnjë pikë të vetme, nuk ka asnjë presje, asnjë fjali apo fjalë që mua dhe juve ju ndalon që nesër të quheni maqedonas, apo që do të na ndalojë të flasim në gjuhën tonë maqedonase”, ka deklaruar Pendarovski.

Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka thënë se partia që drejton, do ta pranojë rezultatin e referendumit, por vetëm nëse në votime dalim mbi 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote dhe nëse shumica e tyre votojnë për marrëveshjen.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG