Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është personi i dytë më i votuar në Kosovë.
Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar, Osmani ka marrë gjithsej 176 mijë vota.
Por, krahas fuqisë së saj politike, javëve të fundit ajo është duke u përballur me një fushatë linçuese.
Në rrjete sociale dhe media online fillimisht u publikua një fotografi e dy personave në uniformë të policisë serbe, njëri prej të cilëve u tha se ishte babai i Vjosa Osmanit.
Vetë Osmani i denoncoi këto publikime, duke i quajtur tendencë për linçim.
“Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetur një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im, Raif Osmani. Natyrisht që në atë foto nuk është babai im, e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e radhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit”, ka shkruar Osmani më 7 qershor në Facebook.
Në këtë reagim, Osmani e drejtoi gishtin kah presidenti Hashim Thaçi, i cili, sipas saj, ishte promovues i idesë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Më 9 qershor, në emisionin “Rubikon” në Televizionin Klan Kosova, presidenti Thaçi i akuzoi familjarët e Vjosa Osmanit për bashkëpunim me regjimin serb.
Presidenti tha se do të ofrojë fakte në rast se Osmani do të guxonte të fliste edhe një herë për pretendimet e saj se Thaçi ka promovuar idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Projektet e mija kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Dhe, nëse ndokush nga Osmani i ka shërbyer në atë kohë Serbisë, unë e kam luftuar Serbinë në atë kohë. E di zonja Osmani shumë mirë”, deklaroi presidenti Thaçi.
Beteja e kundërshtimeve politike mes Hashim Thaçit dhe Vjosa Osmanit daton vite më parë, por është ashpërsuar pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së Osmanit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Koalicioni u prish më 25 mars, kur Kuvendi i Kosovës votoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, të iniciuar vetë LDK-ja.
Osmani e vetme kundër linçimeve
Ndonëse ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Osmani e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen, si dhe u deklarua kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, bashkëpartiak i saj.
Përveç fushatës online dhe akuzave nga presidenti Thaçi, Osmani u përball me akuza dhe kërkesa për largim nga partia edhe nga disa zyrtarë të LDK-së.
Disa prej tyre madje kërkuan edhe përjashtimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja për shkak se, sipas tyre, ajo nuk mund t’i kundërshtonte vendimet e partisë.
Por, përkundër mosmarrëveshjeve brenda LDK-së ku Osmani ushtron postin e nënkryetares, kryetari i këtij subjekti politik, Isa Mustafa, kundërshtoi linçimin e Vjosa Osmanit dhe familjarëve të saj.
Muhaxhiri: Linçimet kanë për qëllim mjegullimin e situatës
Ligjëruesi universitar në Prishtinë, Artan Muhaxhiri, beson se bërja e akuzave të tilla që janë të karakterit personal, kanë për qëllim që të mjegullojnë realitetin politik.
“Këto akuza tentojnë ta zhvendosin vëmendjen e opinionit politik, duke e relativizuar dhe mjegulluar realitetin politik, sepse temat e rëndësishme i bëjnë të parëndësishme, ndërsa të parëndësishmet i bëjnë të rëndësishme. Pra, debatet për ndonjë gjë që është e rëndësishme për shtetin, zhvendosen në debate personale e familjare. Pra, është një tendencë tejet negative, e cila i bën dëm shoqërisë, u bën dëm institucioneve dhe qytetarëve”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Sa i takon përfshirjes së presidentit në akuzat ndaj Vjosa Osmanit, Muhaxhiri thotë se Thaçi po vepron sikur të ishte në opozitë dhe jo president shteti.
“Është në stilin politik të presidentit Thaçi që ai të jetë i ashpër, që ai të përdorë një diskurs, i cili është jashtëzakonisht kritikues ndaj oponentëve të tij politikë dhe duket se kjo nuk ka ndryshuar as tash kur është president i Kosovës”, thotë Muhaxhiri.
Qytetarët shprehen kundër linçimit
Qytetarët besojnë se sulmet ndaj Osmanit vijnë nga një klasë e vjetër politike që me çdo kusht dëshiron mbetjen në pushtet.
Sulejman Fetahu nga Prishtina beson se presidenti Thaçi po bën akuza ndaj kryetares së Kuvendit për shkak se kjo e fundit është kritikuesja më e madhe e politikave të tij.
“Kryetarit i ka hyrë pak frikë se mos po çohet populli dhe po e largon nga pozita e ky pushtetin nuk mund ta lëshojë. Për këtë, ai (presidenti Hashim Thaçi) është duke i akuzuar krejt politikanët tjerë. Vjosa është kundër tij, e kush është kundër tij është i papranueshëm për të”, thotë Fetahu.
Ramadan Ruhani, banor i Prishtinës, thotë se Osmani është deklaruar në mbrojtje të interesave të qytetarëve, duke kundërshtuar së pari partinë e vet, LDK-në, e pastaj presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Përgjegjës për fushatën denigruese ndaj Vjosa Osamnit, Ruhani bën kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, dhe presidentin Thaçi.
“Ia kanë bërë të padrejtë Vjosës, sepse ata janë mësuar që të bëjnë këso dallaveresh që nuk duhen bërë. Vjosa nuk po i lejon ashtu, për këtë po ndodhin sulmet”, thotë Ruhani.
Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon ndaljen e fushatës linçuese
Pas sulmeve që iu bënë ditëve të fundit Vjosa Osmanit reagoi edhe Rrejti i Grave të Kosovës.
Kjo organizatë kërkoi ndaljen e fushatave linçuese ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës.
“Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj puna dhe performanca e saj duhen vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen”, u tha në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.
Ambasadorët kërkojnë debat pa fyerje e kërcënime
Përmes një reagimi, shtetet e Quint-it kanë kërkuar nga udhëheqësit politikë në Kosovë që të diskutojnë “pa fyerje dhe kërcënime”.
“Çdo formë e gjuhës nxitëse, e në veçanti sulmet personale që synojnë promovimin e objektivave politike, mund të kontribuojnë në një atmosferë që inkurajon akte dhune. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë”, thuhet në reagimin e përbashkët të ambasadorit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
Në reagim po ashtu thuhet se “e ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqëror dhe respektimit të lirisë së shprehjes”.