Ndërlidhjet

Pasiguria e LDK-së për rrëzimin e qeverisë


Lideri i LDK-së Avdullah Hoti në Kuvendin e Kosovës, arkiv
Lideri i LDK-së Avdullah Hoti në Kuvendin e Kosovës, arkiv

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se Qeveria ka humbur legjitimitetin dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por disa analistë besojnë se as LDK nuk është e interesuar për zgjedhje, por e bën një gjë të tillë për të rritur përkrahjen tek mbështetësit e vet.

LDK-ja ka bërë të ditur se të mërkurën do të organizojë një tryezë me të gjitha partitë politike. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në tryezë do të diskutohet kriza institucionale dhe politike në vendi, humbja e shumicës parlamentare, mosfunksionimi normal i Kuvendit si dhe, siç ka thënë ai, "dështimi i funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve".

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës, me debate të tilla do të kërkojë të dijë se sa ka përkrahje në iniciativa të ndryshme.

"Në këtë fazë, duket se edhe LDK-ja ka hequr dorë që ta rrëzojë Qeverinë këtë pranverë ose të organizohen zgjedhjet në qershor. Duket se çdo gjë është prolonguar për vjeshtë, aq më parë që jemi në proces të formimit të asociacionit dhe LDK-ja, nuk do të marrë një përgjegjësi të tillë. [LDK-ja ] do ta mbajë opinionin në tension edhe do të tregojë se ka ide, ose sa do të ketë përkrahje. Ky është qëllimi dhe asnjë qëllim tjetër", konsideron Tahiri.

Ai thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës, si edhe disa subjekte të tjera, aktualisht nuk janë të gatshme që të hyjnë në një proces zgjedhor. LDK-ja, thekson Tahiri, nuk ka dal as me iniciativë e propozime konkrete.

"Duket fazë e mirë që të bisedojë për ndërtimin e një platforme me partitë e tjera parlamentare ose joparlamentare", thekson Tahiri.

Edhe analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, thotë se LDK-ja, me deklarimet e saj për ngritjen e një mocioni mosbesimi për Qeverinë Haradinaj, por edhe organizimin e tryezave për kinse zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk është duke bërë asgjë tjetër veç sa po i jep energji elektoratit të vet.

"Mendoj se kjo po bëhet më shumë për ta energjizuar elektoratin e vet dhe për të krijuar një ide të gatishmërisë për zgjedhje të reja sesa që mund të ketë ndonjë gjë konkrete në këtë aspekt", thotë Muhaxhiri.

Ai thekson se kërkesat për zgjedhje të reja në këtë kohë, nuk janë opsione reale pasi që, sipas tij, ato do ta çonin Kosovën në spirancën e pasigurisë dhe drejt një mjegulle politike.

"LDK-ja është duke dashur që të fitojë në aspektin e imazhit politik, mirëpo në aspektin konkret LDK-ja, ka pak gjasa të vogla që të kemi zgjedhje të shpejta, sepse asnjë subjekt tjetër veç LDK-së nuk është i gatshëm të shkojë në zgjedhje, as PDK-ja, as Vetëvendosje. Pra, edhe pse këtë e thonë deklarativisht, mirëpo në aspektin konkret politik besoj se asnjërës palë nuk i përshtatet të shkojë në zgjedhje të reja", vlerëson Muhaxhiri.

Opozita në Kuvendin e Kosovës vazhdon të kontestojë legjitimitetin e Qeverisë aktuale të Kosovës, por zyrtarisht nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë drejt ngritjes së ndonjë mocioni të mosbesimit, sado që kjo çështje përmendet si mundësi reale.

Koalicioni aktual qeverisës po ballafaqohet me faktin e humbjes së shumicës në Kuvend, pasi që Lista Serbe ka vendosur të kalojë në opozitë.

Megjithatë, bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, por zyrtarët e LDK-së thonë se do të provojë të sigurojë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG