Ndërlidhjet

LDK propozon emrat e ministrave, Osmani kërkon zgjedhje


Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti. Fotografi nga arkivi.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti. Fotografi nga arkivi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar emrat e ministrave të rinj në qeverinë e re, për të cilën pritet të votohet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, duke folur pas mbledhjes së kryesië së LDK-së, ka thënë se ka pasur pajtim të plotë për emrat e ministrave.

“Driton Selmanaj për zëvendëskryeministër nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami si ministre e Financave, Besjan Mustafa si ministër i Bujqësisë, Vlora Dumoshi si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Anton Çuni mbetet si ministër i Mbrojtjes, Arban Abrashi si ministër të Infrastrukturës, Agim Veliu si ministër i Brendshëm dhe Armend Zemaj si ministër i Shëndetësisë”, ka deklaruar Hoti.

Hoti ka thënë se dhe subjektet e tjera politike me të cilat janë në koalicion AAK-ja, Nisma Socialdemokrate dhe partitë joshumicë, do t’i bëjnë publike emrat e propozuar për ministra para seancës të së mërkurës.

Hoti ka thënë se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta.

Luftimi i pandemisë së koronavirusit të ri, problemet ekonomike dhe dialogu me Serbinë janë proceset më sfiduese sipas tij.

Ndërkohë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në deklarim para mediave deklaroi se qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti do të marrë votat e nevojshme në kuvend.

Mustafa u shpreh se qeveria e drejtuar nga LDK-ja do të përballet me sukses me sfidat që përballet Kosova, sidomos me dialogun me Serbinë.

Osmani preferon qeveri të përkohshme teknike

Por, një ditë para seancës për votimin e qeverisë së re, kryetarja Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani që është edhe nënkryetare e LDK-së, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas përfundimit të pandemisë.

Këtë qëndrim, kryeparlamentarja Osmani e ka dhënë për Kallxo.com duke thënë se në këtë fazë më së miri do të ishte formimi i një qeverie tranzitore me mandat 6-9 muaj, e drejtuar nga një figurë unifikuese me ministra teknikë.

Kryetarja e kuvendit, njëjerësh nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Kryetarja e kuvendit, njëjerësh nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.


“Një ide e tillë do të funksiononte vetëm nëse do të pajtoheshin të gjithë sepse do të kërkonte konsensus rreth një figurë unifikuese jopartiake. Pra që nuk varet nga Lista Serbe dhe parandalon agjendën për ndryshim kufijsh. Prandaj interpretimet tendencioze se kjo është kundër dikujt nuk qëndrojnë”, ka thënë Vjosa Osmani për kallxo.com.

Vetëvendosje ka filluar dy peticione

Kundërshtim të formimit të qeverisë ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky që vazhdon të udhëheqë me qeverinë në detyrë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi nuk ka bërë të ditur nëse do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet që të votohet qeveria e re.

Gjatë një deklarimi për media, Selimi tha se Vetëvendosje do të kundërshtojë, siç e quajti ai, “rrëmbimin e fitores së Vetëvendosjes”.

Duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ia njohu të drejtën e formimit të qeverisë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vetëvendosje ka nisur dy peticione, njërin “online” ndërsa që nga e marta edhe nënshkrimin fizik nëpër sheshet kryesore të Kosovës.

Përmes këtyre peticioneve, Vetëvendosje kërkon zgjedhje të reja parlamentare pasi sipas kësaj partie, formimi eventual i qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti do të ishte veprim antikushtetues.

Por, pavarësisht kundërshtimit të Vetëvendosjes, LDK-ja ka arritur koalicion bashkëqeverisjeje më Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet.

AAK-ja tashmë ka bërë publikë edhe emrat e të propozuarave për ministra.

Formimit të qeverisë së drejtuar nga LDK-ja i hapi rrugë vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi përmes së cilit mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG