Ndërlidhjet

LDK-ja thotë se i ka votat për formimin e qeverisë


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet që të votohet të mërkurën.

Lidhja Demokratike e Kosovës, së cilës Gjykata Kushtetuese ia njohu të drejtën e formimit të qeverisë, ka dorëzuar në kuvend kërkesën për mbajtjen e seancës për të mërkurën në ora 11:00.

“Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Thirrja e seancës së kuvendit nga ana e LDK-së ndodhi pasi të hënën Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, i cili i dha mandatin për formimin e qeverisë, Avdullah Hotit të LDK-së.

Gjatë një konference për media pas dorëzimit të kërkesës në Kuvend, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se pas dakordimit me partnerët, e kanë të garantuar formimin e qeverisë.

“Pra, janë njoftuar të gjitha partitë, partnerët e koalicionit për seancën që do të mbahet ditën e mërkurë në ora 11:00 dhe normalisht e kemi të garantuar edhe formimin e qeverisë”, tha Gashi.

Por, Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, e quajti aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si “skandaloz” dhe të “fabrikuar”, duke kërkuar rigjykim për këtë çështje.

Lidhja Demokratike e Kosovës synon që të formojë qeverinë e re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nisëm Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

Qeveria në detyrë nuk e pranon vendimin e Kushtetueses

Qeveria në detyrë e Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese lidhur me aktgjykimin e publikuar të hënën, rreth çështjes së formimit të qeverisë së re, duke thënë se një vendim të tillë të Kushtetueses nuk mund ta pranojnë.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se në aktgjykimin e Kushtetueses nuk është paraqitur saktë “përmbajtja e punës së Komisionit Kushtetues”, pasi siç thuhet në njoftim, qeveria ka një kopje të dokumenteve përgatitore të Kushtetutës dhe punës që ka bërë ky komision.

“Ky Komision shprehimisht kishte refuzuar propozimin që pas mocionit të mosbesimit të formohet një qeveri e re. Gjykata ndër të tjera ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar faktet rreth shpërndarjes automatike të kuvendit pas mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017”, thuhet në reagimin e qeverisë në detyrë.

Qeveria në detyrë po ashtu ka njoftuar se është në përgatitje të një analize të detajuar të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo analizë do të publikohet vetëm për të sqaruar absurditetin e këtij vendimi të cilin nuk mund ta pranojmë. Kjo ka qenë një çështje kushtetuese tepër e thjeshtë. As 162 mijë faqe interpretimesh të shpikura, lëre më 162 faqe, nuk mund ta fshehin këtë fakt”, thuhet në njoftim.

AAK-ja konfirmon emrat e ministrave

Partnerja e koalicionit, me të cilin synon të ketë bashkëqeverisje LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë Kosovës është e bindur në formimin e qeverisë së re.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një aktiviteti në qytetin e Suharekës, tha se qeveria e re do ta ketë të vështirë rimëkëmbjen ekonomike dhe njëherësh konfirmoi emrat e ministrave të propozuar nga partia e tij.

“Misioni më i vështirë i kësaj qeverie do të jetë misioni i shpëtimit të ekonomisë së vendit. Zoti Blerim Kuçi është ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, pastaj për ministre të Jashtme kemi, Meliza Haradinaj – Stublla, ministër i Drejtësisë, Selim Selimi dhe i Arsimit, Ramë Lika si dhe zëvendëskryeministër Besnik Tahiri, pra një ekip vërtetë i suksesshëm”, tha Haradinaj.

Presidenti fton Hotin që t’i marrë përgjegjësitë

Pas publikimit të aktgjykimit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka kërkuar formimin e shpejtë të qeverisë.

Presidenti Hashim Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi.


“U dëshmua edhe njëherë se në Kosovë është pjekur demokracia dhe se funksionojnë me sukses institucionet e pavarura. Tani është hapur rruga për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Shpresoj që të jetë kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim”, deklaroi presidenti Thaçi.

Sipas tij, Kosova tani duhet të marrë dy hapa urgjentë: të vazhdojë kujdesin në përballjen me pandeminë e koronavirusit të ri dhe që qeveria e re të prezantojë planin për rimëkëmbje ekonomike.

Si përfundoi dekreti në Gjykatë Kushtetuese?

Më 30 prill, ditën që presidenti i Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin për formimin e qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit.

Vetëvendosje pretendonte se presidenti Thaçi kishte bërë shkelje kushtetuese kur kishte nxjerrë dekretin për mandatimin e Hotit për shkak se kjo e fundit nuk e kishte konsumuar të drejtën e saj për propozimin e mandatarit të ri, pas rrëzimit të qeverisë.

Si u prit vendimi i Gjykatës Kushtetuese?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti njoftoi se subjekti i tij politik nuk do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilën tha se “u rreshtua me kapësit e shtetit”.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti u rrëzua me 25 mars të këtij viti pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG