Ndërlidhjet

KQZ pret rezultatet e hetimeve për zarfet nga Serbia


Policia del në vendngjarje pas raportimeve për zarfet nga Serbia
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Nëntë persona janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nga kontakti me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, atyre u është shkaktuar alergji në duar.

Megjithatë zyrtarët shëndetësorë, ende nuk kanë bërë të ditur se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për media tha se 15,500 votat e diasporës, të cilat kanë qenë në ndërtesën e njëjtë ku kanë qenë edhe votat e ardhura nga Serbia, përkatësisht në Ministrinë e Infrastrukturës, do të transferohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për numërim.

Ndërkaq, sa i përket votave të ardhura nga Serbia, ato do të vazhdojnë të mbesin më tej në vendin e njëjtë.

Kryetarja e KQZ-së tha se policia tashmë ka nisur hetimet dhe pas hetimeve dhe ekzaminimeve të nevojshme, do të merren edhe veprime ligjore.

"Pasi të hetohet dhe të konstatohet diçka do të vazhohet me procedura", tha Daka.

Nga KQZ-ja më herët i thanë Radios Evropa e Lirë se bëhet fjalë për 3 mijë e 700 zarfe të ardhura nga Serbia.

Gjatë procesit të verifikimit, në punë kanë qenë në ndërrimin e parë rreth 25 punëtorë, ku te disa prej tyre është shfaqur një lloj alergjie.

Në KQZ thonë se pasi janë shfaqur shenjat e alergjisë, janë ftuar ekipet shëndetësore dhe ata po merren me rastin.

Ndërkaq, Daut Hoxha nga Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë: Posedojmë informacionin dhe në aspektin policor jemi duke e trajtuar, ndërsa lidhur me detaje të tjera në këtë fazë adresojuni KQZ-së.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, përmes një njoftimi për media tha se “në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë”.

QKUK-ja thotë se gjendja e personave që kërkuan ndihmë është stabile.

“Dy nga to (pacientet) kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ekipi kujdestar i Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke u ofruar ndihmën e duhur mjekësore”, thuhet në komunikatën e QKUK-së.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e pacientëve është e mirë dhe se janë duke i monitoruar ata.

“SHSKUK-ja dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë duke monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të hospitalizuar, të cilët janë në gjendje stabile dhe për çdo informatë shtesë ne do t’ju informojmë me kohë.Shenjat vitale janë krejt në rregull, pacientët janë në gjendje stabile”, tha Ramadani.

Ndërkaq, drejtori i Ndihmës së Shpejtë, Avdyl Pacolli më herët tregoi për Radion Evropa e Lirë për simptomat e personave që kishin rënë në kontakt me zarfet me vota nga Serbia.

Megjithatë, ai thotë se ende nuk dihet se çfarë substance ka shkaktuar këtë reaksion alergjik dhe se u përket organeve kompetente që të merren me zbardhjen e detajeve.

“Dua të ju bëj me dije se personat që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur kryesisht kruajtje të duarve, të cilët, si pasojë e pluhurit që realisht nuk dihet çfarë pluhuri është, nuk dihet – për këtë besoj se duhet të merret farmakologjia toksike dhe njësitë e forenzikës së Policisë së Kosovës që kanë shkaktuar këto problematika”.

Lidhur me rastin e zarfeve të votave nga Serbia ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në një njoftim për media, ky subjekt politik kërkoi hetimin e rastit dhe ka potencuar se këto zarfe “nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë”.

“Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhet në njoftim.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe Lista Serbe, pas lajmit për shkaktimin e alergjisë nga zarfet e ardhur nga Serbia, thanë se kjo është tendencë për të paralajmëruar opinionin vendas dhe ndërkombëtar se po përgatitet manipulimi i votave serbe në Kosovë.

Sipas tyre, kjo gjë ka për qëllim të dëmtojë vullnetin e popullit serb.

"E gjithë kjo po bëhet për të akuzuar edhe një herë në mënyrë të gabuar serbët dhe t'i ekspozojë ata në urrejtje" ka thënë Gjuriq.

“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhet në reagim.

Cila është procedura e votimit me postë?

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se si bëhet procedura e votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

"Kosova u ofron mundësinë për të votuar edhe qytetarëve që kanë shtetësi të Kosovës por që momentalisht janë rezidentë në vende tjera. Ky operacion bëhet në dy faza. Në fazën e parë bëhet regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës. Më pas, pas konfirmimit që janë votues të ligjshëm, pra në kuptimin që i plotësojnë kriteret për të qenë votues, atyre ju dërgohet konfirmimi. Më pastaj, në fazën tjetër, ata mund ta shkarkojnë fletëvotimin dhe të procedojnë tutje me votën e tyre, me zarfin e fshehtësisë dhe me zarfin që përmban shënimet që dërgohen përmes postës”, thotë Halimi.

Ai thotë se zarfet ku vendosen votat e personave që votojnë nga jashtë Kosovë, blihen nga vetë votuesit.

“Dërgesat e tyre postare i vendosin vetë në postë dhe më pastaj zarfi arrin te ne, deri një ditë para ditës së zgjedhjeve. Ne nuk mund të dërgojmë zarf”, thotë ai.

Pas numërimit të votave të rregullta, tash kanë nisur të verifikohen votat e ardhura me postë nga vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe qytetarët nga Serbia që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, mbajtura më 6 tetor.

Në Kosovë më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shikoni intervistën me zotin Kurti duke klikuar këtu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG