PDK: Presim rezultatet zyrtare
Partia Demokratike e Kosovës gjatë një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve procesin zgjedhor e ka vlerësuar të mirë.
Ata kanë ftuar komisionarët e zgjedhjeve që të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre të tregojnë vigjilencë në procesin e numërimit të votave deri në numërimin e votës së fundit.
Abelarad Tahiri nga kjo parti tha se gjatë ditës ka pasur incidente të cilat janë denoncuar të cilat presin të trajtohen nga organet e drejtësisë por megjithatë sipas tij, ato nuk cenojnë procesin e përgjithshëm.
“PDK do të jetë partia e parë në shumicën e komunave të Kosovës, por presim një fitore më të vogël se zakonisht, gjë që jemi të sigurt që do të konfirmohet kur të numërohen edhe vota e fundit në këtë proces”, tha Tahiri.
LDK: Jemi të parët
Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë thënë se procesi zgjedhor LDK-në e vendosin mirë dhe si të parën parti në gjithë procesin zgjedhor.
Lumir Abdixhiku ka thënë para mediave se rezultatet nga terreni tregon se LDK-ja është fituese e këtij procesi zgjedhor.
"Rezultate e para janë mjaft inkurajuese", tha Abdixhiku.
Ndërkaq, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, në një konferencë për media tha se pas 12 vjetëve, LDK-ja kthehet si parti e parë në Kosovë. Ai tha se LDK-ja është fituese dhe rikthimi i madh ka ndodhur.
Hazir u ka bërë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve të qëndrojnë nëpër qendrat e votimit deri në numërimin e të gjitha votave.
Limaj: Nisma, parti vendimtare për formimin e qeverisë
Fatmir Limaj, nga Nisma Socialdemokrate tha se nga informata nga terreni, deri tash tregojnë se ky subjekt politik ka siguruar shtatë deputetë për Kuvendin e Kosovës.
"Tash i kemi shtatë deputetë dhe po luftojmë për deputetin e tetë në bazë të gjitha informacioneve që kemi nga terreni", tha ai.
Limaj në një konferencë për media tha se që tani shihet se Nisma Socialdemokrate, do të jetë parti vendimtare për qeverisjen e ardhshme të Kosovës.
Vetëvendosje: Kemi fituar, presim konfirmimin
Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka nisur të festojë, siç kanë thënë , përfaqësuesit e këtij subjekti politik, “fitoren e zgjedhjeve”.
“Raportimet që kemi nga komisionarët tanë dhe nga vëzhguesit e Exit polit, e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si fituese. Por, fitorja është në kuti e votimit”, ka thënë Besnik Bislimi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u ka bërë thirrje komisionarëve dhe vëzhguesve që ta ruajnë dhe mbrojnë votën dhe “fitoren e vVtëvendosjes”.
Disa qindra simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, janë mbledhur para selisë qendrore të kësaj partie në Prishtinë, ku edhe kanë nisur të festojnë , duke brohoritur emrin e liderit të saj, Albin Kurti. Por, zyrtarët e kësaj partie, kanë deklaruar se festa për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje dhe simpatizuesve të saj për fitoren do të fillojë kur të bëhen të qarta rezultatet.