Daka: Incidentet e raportuara nuk dëmtojnë procesin zgjedhor
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e tretë për media ka bërë të ditur se procesi i votimit është duke vazhduar pa ndonjë problem që do të dëmtonte procesin zgjedhor.
“Duke u mbështetur në të dhënat që janë dërguar nga 2,491 vendvotime apo rreth 98 për qind e tyre, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 554 mijë e 750 votues apo 29.28 për qind nga 1.937.868 votues me të drejtë vote.
“Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017 kishin votuar 497 mijë 120 votues apo 27.75 për qind e votuesve”, tha Daka.
Gjatë ditës së sotme, shtoi Daka, ka pasur disa çështje që janë raportuar në dhomën operative për të cilat janë përkujdesur prokurorët kujdestarë dhe Policia. Incidentet e raportuara, tha Daka, nuk e kanë dëmtuar procesin zgjedhor.
Apostolova: Ditë e rëndësishme për demokracinë në Kosovë
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Sot është ditë shumë e rëndësishme për Kosovën, kjo është dita ku demokracia do të tregojë të vërtetën që do të ndodhë në Kuvend. Qytetarët e Kosovës duhet të dalin dhe të votojnë, është ditë jashtëzakonisht e rëndësishme", është shprehur Apostolova.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të vizitojë disa vendvotime.
Apostolova shtoi se numri i daljes së njerëzve për të votuar është më i madh se në vitin 2017. Gjithashtu, sipas saj gjithçka është e qetë dhe po shkon sipas rregullave.
DnV raporton për disa shkelje gjatë procesit të votimit
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka raportuar shkelje të ndryshme të procesit të votimit.
Në një konferencë për media, Artan Murati nga ky koalicion, tha se procesi zgjedhor është duke shkuar qetë, por janë evidentuar disa parregullsi të vogla.
“Fotografimi i votës, bërja publike e fletëvotimeve, qëndrimi i më shumë së një personi prapa kabinës së votimit, votimi familjar janë disa nga shkeljet që janë raportuar nga monitorues të koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim”, tha Murati.
Në Viti arrestohet një person për keqpërdorim të votës
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Viti, që dyshohet për keqpërdorim të votës.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai ka thënë shkurt përmes telefonit se fillimisht janë ndalur dy persona dhe pastaj prokurori i rastit ka liruar njërin person.
“Fillimisht janë arrestuar dy persona. Është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit. Prokuroria po merret me rastin”, ka thënë Hashani, duke mos dhënë detaje të tjera.
Demokracia në Veprim që merret me monitorimin e zgjedhjeve, ka thënë se deri në orën 13, ka evidentuar 83 raste të fotografimit të votës.