Ndalohen 20 persona lidhur me procesin zgjedhor
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, ka bërë të ditur se gjatë procesit zgjedhor që është duke u zhvilluar, deri më tani janë vërtetuar 16 raste me 20 persona për parregullsitë të cilët lidhen me procesin zgjedhor.
Në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit”.
Në rajonin e Pejës, ka ndodhur një rast me dy persona të ndaluar për veprën penale “keqpërdorim i të drejtës së votimit”.
Në rajonin e Gjakovës, janë vërtetuar gjashtë raste kundër gjashtë personave. Pesë persona janë të ndaluar dhe një person në kërkim, për veprat penale “pengimi i procesit të votimit”, “cenim i fshehtësisë së votimit” dhe për veprën “asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Në rajonin e Gjilanit është vërtuar një rast me një person të ndaluar për veprën penale “parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar”.
Në rajonin e Mitrovicës ka dy raste me pesë persona të ndaluar, prej të cilëve dy për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” si dhe tre për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.
Në rajonin e Ferizajt, ndërkaq, është një rast me një person të ndaluar për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.
DnV: Deri në ora 17:00 dalja në zgjedhje 38 për qind
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” , ka njoftuar se deri në orën 17:00 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë votuar 38 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Përqindja e qytetarëve të cilët kanë votuar deri në orën 17:00 krahasuar me zgjedhjet paraprake të vitit 2017 ka shënuar rritje.
Ismet Kryeziu nga ky koalicion në një konferencë për media tha se cenimi i fshehtësisë së votës është një problem që e ka shoqëruar procesin zgjedhor në Kosovë.
“Përmes bërjes publike të votës publike, përmes fotografimit të votës, këto dukuri ndërlidhen me dyshimin ose supozimin tonë se janë të kushtëzuar me blerjen e votës për të dëshmuar votën e qytetarit, qoftë mënyrën duke e bërë publikem qoftë duke e fotografuar”, tha Kryeziu.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.
Mbyllen vendvotimet
Janë mbyllur vendvotimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Në orën 19:00 janë mbyllur vendvotimet, përveç në ato vendvotime ku ka pasur radhë të qytetarëve brenda qendrave të votimit që prisnin për të votuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë votuar mbi 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të drejtë vote kanë pasur më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë
Haradinaj: Kosova tregoi pjekuri politike
Ramush Haradinaj, që ishte edhe kandidat për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, ka thënë në një konferencë për media nga selia e AAK-së, se procesin zgjedhor ka qenë i rregullt dhe pa probleme të mëdha.
Ai tha në këtë proces zgjedhor Kosova dhe qytetarët e saj kanë treguar një pjekuri politike.
"Kosova ka treguar pjekurin më të madhe politike deri tani. Është vërtetuar se mandati është më i sigurt kur i kthehet popullit sidomos në momentet e presioneve politike", u shpreh Haradinaj.