Në Mitrovicë të Veriut, zgjedhje “të qeta e pa incidente”
Kryetari i komisionit komunal zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, Sllobodan Dimitrijeviq, tha se dita e zgjedhjeve kaloi në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
“Nuk ka pasur parregullsi, ndonëse e kemi pasur prokurorin në terren. Ai vetëm ishte për t’i parë qendrat e votimit dhe nuk ka asnjë vërejtje nga ana e prokurorisë”, theksoi Dimitrijeviq.
Pas numërimit të votave në vendvotime, votat do të transferohen në qendrën e votimit në Shkollën Teknike në Mitrovicën e Veriut dhe më pas do të transportohen në qendrën kryesore të grumbullimit në Fushë Kosovë.
Gashi: Rezultat i kënaqshëm për LDK-në
Shefi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se rezultati i deritanishëm nga zgjedhjet lokale, është i kënaqshëm për këtë parti.
Gashi në një konferencë për media tha se LDK-ja ka një rezultat impresiv.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është në balotazh në Komunën e Prishtinës dhe në Komunën e Podujevës. Rezultati final është në kutitë e votimit. U bëj thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve në tërë Kosovën, që ta administrojnë në mënyrë korrekte procesin zgjedhor”, tha Gashi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka nisur procesi i numërimit të votave dhe rezultatet preliminare pritet të dalin sonte.
Haradinaj: AAK-ja ka shënuar rezultatin më të mirë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka shënuar rezultatin më të mirë.
“Të dhënat tona flasin se kemi fituar në gjashtë komuna: Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Deçan e Junik. Po ashtu shkojmë në balotazh në të paktën një komunë, është Istogu”, tha ai dhe shtoi se kanë vërejtur rritje të votave për partinë e tij edhe në komuna të tjera.
Ai këto zgjedhje i cilësoi si të lira, demokratike dhe të organizuara sipas “standardeve më të larta”.
Dalje më e lartë në zgjedhje në komunat në veri
Dalja më e lartë e votuesve në zgjedhjet lokale është shënuar në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.
Në Zveçan kanë votuar rreth 84 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, gjegjësisht, 5,773 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit nga 6,879 sa janë të regjistruar me të drejtë vote.
Në vendin e dytë, për nga pjesëmarrja në votime është Leposaviqi, me 74 për qind të votuesve apo mbi 8,500 prej 12,707 personave me të drejtë vote.
Pjesëmarrje e lartë në votim është shënuar edhe në komunat tjera me shumicë serbe në Kosovë, sikurse Mitrovica e Veriut me 67 për qind, Novobërda me 60 për qind, Zubin Potoku me 64 për qind dhe Shtërpca me 57 për qind.
Në kryeqytetin e Kosovë, në Prishtinë kanë dalë në votime rreth 55 për qind e qytetarëve me të drejtë vote ose rreth 87,843 qytetarë nga 195.978 sa janë të regjistruar me të drejtë vote. Dalja më e ulët për nga numri i votuesve është shënuar në Dragash, me vetëm 34 për qind, ku kanë votuar rreth 13,480 qytetarë nga 39,059 që kanë të drejtë vote.
Facebook Forum