LVV: Do të jemi fitues në komunat më të fuqishme
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tha se në zgjedhjet komunale të 17 tetorit do të jetë fituese në “komunat më të fuqishme” dhe do të jetë në balotazh në numrin më të madh të komunave.
Në një konferencë për media, Fitore Pacolli nga LVV-ja tha se rezultatet finale do të dëshmojnë se LVV-ja, do të dyfishojë votat nga zgjedhjet e komunale të vitit 2017.
“Në krahasim e rezultatin e zgjedhjeve komunale të vitit 2017, nga partia e tretë do të jemi bindshëm partia e parë. Rezultatet finale do të do qartësojnë ngritjen e Vetëvendosjes në raport me zgjedhjet e fundit në nivel lokal. Numri i përgjithshëm i votave dhe besimit të qytetarëve presim të dyfishohet”, tha Pacolli.
Zgjedhjet e 17 tetorit në Kosovë, tha Pacolli, janë shembull për gjithë rajonin.
Në komunën e Prishtinës, Pacolli tha se janë të parët dhe do të fitojnë pa balotazh.
Mitrovica e Jugut, Ferizaj dhe Peja me kandidatë me mbi 50% të votave
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, që njëherësh është kryetar aktual në këtë komunë, ka fituar 63.60 për qind pas numërimit të 50 për qind të votave.
I dyti në këtë komunë është Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje që ka fituar rreth 25 për qind të votave.
Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza po prin në zgjedhje.
Sipas të dhënave të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me 57 për qind të votave të numëruara, Hamza ka fituar 52.96 për qind të votave.
I dyti është kryetari aktual i komunës, Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai, sipas rezultateve preliminare ka fituar 35.31 për qind.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri - njëherësh kryetari aktual i komunës - ka fituar 59.81 për qind të votave pas numërimit të 48.27 për qind. I dyti është Gazmend Agusholli nga Lëvizja Vetëvendosje me 22.41 për qind.
Ndërkaq, kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e Listës Serbe po prijnë në pothuajse të gjitha komunat me shumicë serbe.
Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.
Të dhënat e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së përfshijnë vetëm votat e rregullta dhe jo ato me kusht dhe nga jashtë Kosovës. Në komunat e tjera, përpunimi i votave është duke shkuar më ngadalë dhe ende është e paqartë nëse në to do të ketë fitues në raund të parë apo do të shkojnë në balotazh.
Dalje më e lartë në zgjedhje në komunat në veri
Dalja më e lartë e votuesve në zgjedhjet lokale është shënuar në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.
Në Zveçan kanë votuar rreth 84 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, gjegjësisht, 5,773 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit nga 6,879 sa janë të regjistruar me të drejtë vote.
Në vendin e dytë, për nga pjesëmarrja në votime është Leposaviqi, me 74 për qind të votuesve apo mbi 8,500 prej 12,707 personave me të drejtë vote.
Pjesëmarrje e lartë në votim është shënuar edhe në komunat tjera me shumicë serbe në Kosovë, sikurse Mitrovica e Veriut me 67 për qind, Novobërda me 60 për qind, Zubin Potoku me 64 për qind dhe Shtërpca me 57 për qind.
Në kryeqytetin e Kosovë, në Prishtinë kanë dalë në votime rreth 55 për qind e qytetarëve me të drejtë vote ose rreth 87,843 qytetarë nga 195.978 sa janë të regjistruar me të drejtë vote. Dalja më e ulët për nga numri i votuesve është shënuar në Dragash, me vetëm 34 për qind, ku kanë votuar rreth 13,480 qytetarë nga 39,059 që kanë të drejtë vote.
Haradinaj: AAK-ja ka shënuar rezultatin më të mirë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka shënuar rezultatin më të mirë.
“Të dhënat tona flasin se kemi fituar në gjashtë komuna: Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Deçan e Junik. Po ashtu shkojmë në balotazh në të paktën një komunë, është Istogu”, tha ai dhe shtoi se kanë vërejtur rritje të votave për partinë e tij edhe në komuna të tjera.
Ai këto zgjedhje i cilësoi si të lira, demokratike dhe të organizuara sipas “standardeve më të larta”.
Facebook Forum