Mandl: Kontributi më i mirë në demokraci, përmes votës
Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl, ka thënë të dielën se është shumë i lumtur që blloku evropian mund të kontribojë me 100 vëzhgues në zgjedhjet lokale të Kosovës.
“Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të kontribuar në demokraci, mirëpo mënyra më e mirë është përmes votës. Prandaj mesazhi im i parë sot është që të inkurajoj secilin që të votojë”, ka thënë Mandl.
Sipas tij, procesi zgjedhor është duke u realizuar në mënyrë të qetë.
Ambasada amerikane: Vendimet e kryetarëve janë të rëndësishme
Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se vendimet e kryetarëve të komunave janë të rëndësishme, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Vendimet (e kryetarëve) qofshin ato duke u dhënë prioritet shkollave, transportit publik, mbledhjes së mbeturinave apo projekteve tjera, ndikojnë në kualitetin e jetës së përditshme”, ka thënë kjo Ambasadë përmes një postimi në Twitter.
Abdixhiku: Qytetarët vendosin sot për të ardhmen e tyre
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ditën e zgjedhjeve si festë.
"Vendimmarrja u kthehet qytetarëve tanë dhe nuk ka asgjë më të mirë dhe më të bukur, sesa që qytetarët të vendosin për të ardhmen e tyre”, ka thënë Abdixhiku para gazetarëve.
Arrestohen katër persona të dyshuar për blerje të votës
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se më 16 tetor, në orët e vona, janë arrestuar katër persona në Kllokot, nën dyshimin për kryerje të veprave penale: Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve dhe dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin.
Të dyshuarit me inicialet: A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Facebook Forum