Policia e Kosovës hap dy raste për cenim të fshehtësisë së votës
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar qetë dhe pa incidente të mëdha.
Megjithatë, ai ka treguar se ky insistucion ka hapur dy raste, në Prishtinë dhe Prizren, për shkak të cenimit të fshehtësisë së votës.
Kelani ka thënë mes tjerash se për ditën e zgjedhjeve janë të angazhuar 6.000 zyrtarë policorë për ofrim të sigurisë në qendrat e votimit.
Trendi i votimit në Kosovë
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, deri në orën 15:00 në Kosovë kanë votuar mbi 32 për qind e qytetarëve.
Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), ka njoftuar se deri në orën 16:00, kanë votuar mbi 37 për qind e qytetarëve.
Këto janë zgjedhjet e teta që zhvillohen në Kosovë nga viti 1999.
Shihni trendin e votimit në këtë infografikë.
Votimi i personave me COVID-19
Më shumë se 140 ekipe mobile kanë vizituar gjatë së dielës shumë familje kosovare, duke iu ofruar mundësinë që të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe personave të prekur me COVID-19, që janë të izoluar në shtëpitë e tyre.
Radhë të gjata për të votuar
Në disa qendra votimi në Prishtinë ende shihen radhë të gjata të atyre që duan të votojnë. Disa prej tyre kanë pritur orë të tëra për të votuar.