Përfundon votimi
Vendvotimet për zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbyllën në orën 19:00.
Pjesëmarrja e votuesve deri në këtë kohë ka qenë mbi 46 për qind, bëhet e ditur në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ambasada amerikane: KQZ-së t’i jepet kohë e hapësirë për numërim
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha përmes një postimi në Twitter se “është inkurajuese të shohësh aq shumë qytetarë që dolën të votojnë sot paqësisht, pavarësisht motit dhe pandemisë”.
“Tani është e rëndësishme t’i jepet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera kohë dhe hapësirë për të numëruar votat dhe për të bërë punët e tyre”, thuhet në postim.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të së dielës ishte mbi 46 për qind.
Votimet u zhvilluan derisa vendi, si edhe pjesa më e madhe e botës, po lufton me pandeminë e koronavirusit.
Temperaturat gjatë ditës u sollën në rreth -10 gradë Celsius.
Disa pamje nga mbyllja e vendvotimeve
Pjesëmarrje më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2019
Pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, në Kosovë ishte 46.90 për qind, bëri të ditur kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për media në Prishtinë.
Ajo tha se të drejtën e votës e shfrytëzuan 827,984 qytetarë.
Për krahasim, shtoi Daka, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kanë votuar 44.18 për qind, apo 812,049 qytetarë.
“Sot Kosova tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta. E shfrytëzoj rastin që në emër të KQZ-së të falënderoj posaçërisht qytetarët e Kosovës, që në këtë ditë dhanë shembull të një kulture të lartë demokratike”, tha Daka.
Ajo shtoi se, së shpejti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me shpalljen e rezultateve preliminare.