Pjesëmarrja në zgjedhje, mbi 47 për qind
Pas përpunimit të më shumë fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovës ishte mbi 47 për qind.
Në ueb-faqen e KQZ-së, shifra e pjesëmarrjes në orën 20:25 ishte 47.07 për qind.
Nis numërimi i votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se ka nisur numërimi i fletëvotimeve në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Rezultatet preliminare po publikohen në kohë reale në ueb-faqen e KQZ-së.
Në një konferencë për media, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se qytetarët e Kosovës treguan kulturë të lartë demokratike në zgjedhjet e së dielës.
"Inkurajoj këshillat e vendvotimeve që gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit të votave, me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet", tha Daka.
“Sot, Kosova tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta", shtoi ajo.
Sipas KQZ-së, dalja në këto zgjedhje ishte mbi 47 për qind.
Haradinaj ia uron fitoren Vetëvendosjes
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se duke shikuar trendin e votave, mund të konstatojë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që u mbajtën të dielën.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Haradinaj ia uroi fitoren Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ajo që hetohet është një trend i votës në drejtim të Vetëvendosjes. Konstatohet një fitore e Vetëvendosjes në këto zgjedhje. Shfrytëzoj rastin t’i uroj të gjitha partitë, edhe Vetëvendosjes fitoren”, tha ai.
Sa i përket partisë që drejton, Haradinaj tha se ajo ka fituar diku 10 për qind të votave.
“Ne jemi deklaruar se nuk kemi vija të kuqe, as për Vetëvendosjen, as për ndonjë subjekt politik”, tha ai.
Haradinaj, i cili në këto zgjedhje garoi si i nominuar i AAK-së për postin e presidentit, tha se për t’u zgjedhur presidenti i ri, duhet vullneti i forcave politike, që të arrijnë votat e mjaftueshme prej dy të tretave.
“Ne jemi deklaruar se nuk kemi vija të kuqe, as për Vetëvendosjen as për ndonjë subjekt politik”, tha Haradinaj kur u pyet për ndonjë koalicion të mundshëm qeverisës.
VV iu bën thirrje qytetarëve të mos festojnë në sheshe
Lëvizja Vetëvendosje ftoi qytetarët të mos mblidhen në rrugë dhe sheshe për të festuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Albulena Haxhiu, nga kjo parti, iu bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, si për shkak të pandemisë së koronavirusit, ashtu si edhe për shkak të temperaturave të ulëta.
“Jemi në pritje të rezultateve zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Haxhiu, duke paralajmëruar konferenca të reja për më vonë.