Rezultatet preliminare: Prin Lëvizja Vetëvendosje
Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ndodhet në epërsi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se nga numërimi i 34 për qind të votave, Vetëvendosje ka fituar 47.17 për qind.
Pas saj vijnë Partia Demokratike e Kosovës me 18.61 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.82 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.85 për qind.
Për më shumë të dhëna, klikoni në ueb-faqen e KQZ-së.
Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor, i qetë dhe pa incidente serioze
Policia e Kosovës tha se në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka iniciuar tri raste që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, por që, sipas saj, ato nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Prej tyre, një rast është evidentuar në Lipjan si "pengim i procesit të votimit”.
Sipas njoftimit të Policisë, një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Dy rastet tjera, një në Prizren dhe një në Fushë Kosovë, janë evidentuar si "cenim i fshehtësisë së votimit" dhe, me vendim të prokurorëve, të dyja rastet janë dërguar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës bëri të ditur se në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor vlerësohet i qetë dhe pa incidente serioze.
IKD: Procesi i votimit i ka plotësuar standardet e zgjedhjeve
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësoi se procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë i ka plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike.
"IKD ka evidentuar një numër të rasteve të incidenteve, të cilat dyshohet se kanë hyrë edhe në sferën penale, por në të cilat raste, vlerëson se ka pasur një reagim adekuat të policisë dhe prokurorisë, në parandalimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës", thuhet në një komunikatë të këtij instituti.
IKD e monitoroi të dielën procesin e votimit të qytetarëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, shkelja më e shpeshtë sot ka qenë mosrespektimi i masave kundër koronavirusit në, siç thuhet, pothuajse të gjitha qendrat dhe vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës.
Këto masa përfshijnë veshje të maskave dhe mbajtje të distancës.
Sipas IKD-së, në prokurori ndodhen dy raste të hapura në procedurë të rregullt, për ndërhyrje në sistem kompjuterik.
"Një shkelje tjetër e përsëritur, e që ka përfshirë rajone të ndryshme brenda Kosovës, ka qenë edhe dërgimi i SMS-ve nga parti të caktuara politike, duke bërë thirrje që të votohet për to. Në lidhje më këtë, nga prokuroria, IKD është njoftuar se është hapur rast në procedurë të rregullt. Përmes vëzhgimit të realizuar nga IKD, janë identifikuar po ashtu tri raste të fotografimit të votës, në tri rajone të ndryshme brenda vendit", shpjegohet në komunikatë.
Vëzhguesit e IKD-së po ashtu identifikuan raste të mungesës së fletëvotimeve në katër qendra të ndryshme të votimit - të gjitha në Prishtinë.
Rakiq: Lista Serbe i ka fituar të dhjetë mandatet e rezervuara
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, partia e tij ka shënuar fitore bindëse.
Rakiq tha në një konferencë për media se Lista Serbe i ka fituar të dhjetë mandatet në Kuvendin e Kosovës, të rezervuara për komunitetin serb.
“Kjo është fitore e unitetit serb, e harmonisë serbe. Kjo është provë se duam të mbetemi vetvetja”, tha Rakiq.
Ai shtoi se 99 për qind e qytetarëve të Kosovës nga komuniteti serb kanë votuar për Listën Serbe.
Në zgjedhjet e së dielës garuan Lista Serbe dhe dy nisma nga komuniteti serb.
Sipas rezultateve të deritanishme, Rakiq tha se Lista Serbe ka fituar pesë për qind më shumë vota sesa në zgjedhjet e fundit parlamentare, në vitin 2019.