Më shumë se gjysma e votave të numëruara: VV mbi 48%
Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 48.20 për qind.
Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës me 18.18 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.62 për qind të votave, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.91 për qind.
Për më shumë të dhëna, klikoni në ueb-faqen e KQZ-së.
Adrijana Hoxhiq, e dyta më e votuara në mesin e boshnjakëve
Adrijana Hoxhiq, nga veriu i Mitrovicës, me subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”, është e dyta më e votuara në mesin e komunitetit boshnjak.
Sipas 62 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, ajo i ka fituar 3,020.
Kjo është hera e parë që Hoxhiq merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Koalicioni Vakat, i udhëhequr nga Rasim Demiri, po prin me vota në mesin e boshnjakëve: 3,675.
Subjekti tjetër boshnjak i Emilia Rexhepit, Partia e Re Demokratike, ka fituar 1,543 vota, ndërsa Unioni Socialdemokrat i Duda Bales ka fituar 1,356.
Përfaqësues të komunitetit boshnjak e kanë akuzuar Adriana Hoxhiqin se, bashkë me një subjekt tjetër nga komuniteti rom, po përpiqen të hyjnë në Kuvend me ndihmën e votave të komunitetit serb dhe se ata do “të punojnë për interesin e Listës Serbe” - partisë kryesore të komunitetit serb në Kosovë.
Vetë Hoxhiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk ekziston kurrfarë marrëveshjeje mes saj dhe Listës Serbe.
Ndërkaq, Iniciativa Rome e Gazmend Salijeviqit nga Graçanica ka fituar 2,358 vota, duke prirë në zgjedhje në mesin e partive të komunitetit rom.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon në ueb-faqen e tij rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme, të mbajtura të dielën.
Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, nga mbi 1.7 milion sish.
Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Mbështetësit e VV-së duke festuar
Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që mbështetësit e saj të festojnë në shtëpi, për shkak të pandemisë së koronavirusit, mijëra sish dolën për të festuar në rrugët dhe sheshet e qyteteve në Kosovë.
Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Vetëvendosje prin me mbi 48 për qind të votave.
Hoxhaj uron Vetëvendosjen: Nuk do të jemi pjesë e Qeverisë
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e uroi Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Hoxhaj tha se e fton Vetëvendosjen të punojë për të forcuar shtetin e Kosovës, por shtoi se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë me të.
Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vetëvendosje prin me vota: mbi 48 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq, është e dyta: mbi 17 për qind.