Ndërlidhjet

Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje duke festuar në Prishtinë.
Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje duke festuar në Prishtinë.

Fitore bindëse e Vetëvendosjes

Kosova mbajti më 14 shkurt zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

  • Për zgjedhjet e 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur 1,794,862 persona.
  • Qytetarët kanë mundur të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2,382 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.
  • Pjesë e garës në këto zgjedhje kanë qenë 28 subjekte politike me mbi 1,000 kandidatë për deputetë, të cilët kanë garuar për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës.
  • Këto zgjedhje janë rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor, 2020, e ka rrëzuar Qeverinë e Avdullah Hotit, të zgjedhur më 3 qershor.
  • Gjykata ka thënë se kjo qeveri ishte kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një viti e tre muajsh, ishte përcaktuese për qeverinë.
  • Vendimi i Kushtetueses ka përcaktuar po ashtu se personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një periudhë trevjeçare, të mos mund të garojnë në zgjedhje. Ky vendim ka prekur kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe disa kandidatë të tjerë për deputetë edhe nga parti të tjera.
  • Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar 43,477 pako me fletëvotime, që janë dërguar me postë nga qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit.
  • Këtë proces zgjedhor e kanë përcjellë nga afër rreth 30 mijë vëzhgues të akredituar.
23:22 14.2.2021

Mustafa: LDK do ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se partia e tij do ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, cilido që të jetë ai.

Në një postim në Facebook, Mustafa tha se kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë “një punë të shkëlqyeshme”, edhe gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, edhe gjatë fushatës.

“Ne do t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK-ja do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin”, shkroi Mustafa.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë e treta, me rreth 13 për qind të votave.

E para radhitet Lëvizja Vetëvendosje me rreth 48 për qind dhe e dyta Partia Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind.

23:33 14.2.2021

Hoti: E marr përgjegjësinë e plotë për rezultatin

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se merr “përgjegjësinë e plotë” për rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Hoti tha se “rezultatet janë tjera me ato që i kemi pritur”.

“Në ditët në vijim do të diskutoj gjerësisht me organet e LDK-së për këtë përgjegjësi timen në këto zgjedhje”, tha Hoti.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë e treta, me rreth 13 për qind të votave.

Po sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje është e para me rreth 48 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës e dyta me rreth 17 për qind të votave.

23:44 14.2.2021

Demokracia në Veprim shpall Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), doli me rezultate paraprake të zgjedhjeve të 14 shkurtit, sipas të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48.95% të votave.

Po sipas tyre, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 16.93%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.34%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.45%, Lista Serbe 4.64%, Nisma Socialdemokrate 2.5%. Kjo e fundit, me këtë rezultat, nuk e kalon pragun zgjedhor.

Ismet Kryeziu, nga Demokracia në Veprim, tha në një konferencë për media se në këto përqindje të prezantuara nuk janë përfshirë votat me kusht e as nga ato nga diaspora.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon në ueb-faqen e tij rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme, që u mbajtën të dielën.

00:06 15.2.2021

Kurti: Referendumi për drejtësi u fitua

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media nga selia e partisë së tij në Prishtinë.

“Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta”, tha ai.

“Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha po ashtu Kurti, duke u zotuar se Vetëvendosje do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.

Vjosa Osmani, kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente, tha se me fitoren e kësaj partie “Kosova do të ndryshojë”.

“Institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia”, tha ajo.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit me rreth 48 për qind të votave.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG