DnV: Pjesëmarrja e votuesve deri në ora 12, mbi 14 për qind
Demokracia në Veprim ka njoftuar se deri në orën 12:00 në procesin zgjedhor kanë votuar 276,342 qytetarë me të drejt vote apo 14.61 për qind.
Albert Krasniqi nga DnV tha se pjesëmarrja me e lartë e votuesve është në komunën e Kllokotit, Mamushës dhe Leposaviqit.
Parregullsi të vogla gjatë votimit
Koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor, në një konferencën për media të mbajtur në orët e pasdites ka raportuar për parregullsitë e vogla gjatë procesit zgjedhor.
Albert Krasniqi nga ky koalicion tha se parregullsitë të cilat kanë ndodhur nuk e kanë penguar procesin e votimit.
Ndër parregullsitë e vërejtur janë votimi në grup, asistimi për të votuar dhe tentimi për të votuar me shumë se një herë.
Po ashtu Krasniqi tha se parregullsi tjetër është fotografimi i votës.
PZAP: Mbi 30 ankesa për thyerje të heshtjes zgjedhore
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka bërë të ditur për Radion Evropa, se kanë marrë edhe ankesat e para për parregullsi të paraqitur në procesin zgjedhor.
Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha për Radion Evropa e Lirë se ky panel deri më tash ka pranuar disa ankesa, të cilat kryesisht janë bërë nga subjektet politike
“Gjatë ditës së sotme janë paraqitura deri më tani katër ankesa që i referohen thyerjes së heshtjes zgjedhore. Derisa, gjatë ditës së djeshme kemi pasur 31 ankesa që po ashtu kanë të bëjnë me thyerje të heshtjes zgjedhore”, tha Desku.
Në komunat veriore dalje e kënaqshme e votuesve
Në Mitrovicë të veriut, në orën 7 të mëngjesit janë hapur me kohë të gjashtë qendrat e votimit, ndërkaq në qendrën e shtatë, në Suhodollin e Epërm, hapja është shënuar me 45 minuta vonesë, për shkaqe teknike, ka thënë Slobodan Dimitrijeviq, kryetar i Komisionit zgjedhor komunal.
“Për shkak se ky vendvotim ka vetëm 177 votues, nuk do të ketë probleme të mëdha. Fundja, në rast se do të jetë e nevojshme, do ta vazhdojmë votimin për 45 minuta më shumë”, ka thënë Dimitrijeviq.
Sipas tij, dalja e qytetarëve në vendvotime, në orët e para, është mjaft e mirë.
“Sipas të dhënave të misionit të OSBE-së, deri në orën 11, në zgjedhjet lokale, në veri të Kosovës, kanë votuar 14. 89 për qind e qytetarëve me të drejtë vote”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i OSBE-së, Senad Shaboviq.
Facebook Forum