Nis votimi për zgjedhjet lokale
Kosova sot po mban zgjedhjet lokale. Gara po zhvillohet në 38 komuna, ku do të votohet për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale. Të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë.
E para që ka votuar ka qenë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Daka: Të gjitha vendvotimet janë hapur
Kryetarja Komisionit Qendrore te Zgjedhjeve, Valdete Daka pasi ka votuar ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet lokale.
Ajo ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur, çdo gjë ka qenë me rregull dhe materialet për votim janë shpërndarë me kohë.
“Me siguri që të gjitha vendvotime hapen pasi që nga informatat që i kam çdo gjë kanë qenë në rregull, dhe të gjitha materialet janë shpërndarë me kohë, të gjitha vendvotimet janë përgatitur me kohë. Urojë që kjo ditë të jetë festë dhe të mos kemi asnjë problem”, tha Daka.
Policia garanton siguri në ditën e zgjedhjeve
Autoritetet e rendit në Kosovë kanë bërë të ditur se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale që mbahen sot.
"Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës", ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Facebook Forum