Ndërlidhjet

Kosovë: Pa diplomaci parlamentare


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme nga opozita vlerësojnë se diplomacia parlamentare edhe gjatë vitit 2013, nuk do të jetë shumë aktive, kjo pasi që, siç thonë ata, nuk ka koordinim të duhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ata thonë, po ashtu, se kufizimet në këtë drejtim janë edhe për shkak të buxhetit të vogël vjetor që ka komisioni.

Kryetari i këtij komisioni, Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se komisioni, diplomacinë parlamentare do të mundohet ta bëjë përmes vizitave të pakta jashtë vendi dhe takimeve ndërkombëtare të zyrtarëve që do ta vizitojnë Kosovën.

Albin Kurti
Albin Kurti
Anëtaret e komisionit tonë bëjnë vizita në Paris, Londër e Berlin, shumë të shpeshta dhe të gjithë japin kontributin e tyre për përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe për rritjen e gjasave që të kemi njohje të reja. Edhe në këtë aspekt jemi të hendikepuar për shkak të një lloj gare absurde që zhvillohet nga resorët e ndryshme qeveritare për ta marrë kreditin lidhur me njohjet, më parë se sa për ta rritur numrin e tyre”, tha Kurti.

Sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, anëtarët e këtij komisioni duhet ta shoqëronin ministrin e Jashtëm në takime të caktuara të rëndësishme jashtë vendit.

Por kjo, deri me tash nuk është raportuar të ketë ndodhur.

Kurti, ka theksuar se ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, që nga muaji prill i vitit të kaluar nuk ka qenë në komision për të raportuar lidhur me punën e MPJ-së. Ndryshe, roli kryesor i komisionit për pune të jashtme është që ta mbikëqyrur politikën e jashtme apo edhe vet MPJ-në.

Buxheti jonë është jashtëzakonisht i varfër, vetëm 5 mijë euro i kemi si komision për punë të jashtme. Por, mos harroni një gjë, që zyra e kryeministrit në Kosovë, ka më shumë buxhet se krejt Kuvendi i Kosovës”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, nga LDK-ja, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, tha se Kuvendi në drejtim të lobimit nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë efikas deri sa nuk koordinohet me MPJ-në.

Buxheti që ndahet për komisionin për politikë të jashtme të Kuvendit është, në variantin më të butë po e them, qesharak. Në të njëjtën kohë kufizimet të natyrës tjetër janë ato që i bëhen komisionit nga institucionet tjera, MPJ, Qeveria, e ndonjë herë edhe kryesia e Kuvendit. Gjatë këtyre dy vjetëve, përshtypja ime është që komisioni në masë të madhe është anashkaluar. Po, sido që të jetë është shfrytëzuar pak komisioni”, tha Hyseni.

Skender Hyseni
Skender Hyseni
Hyseni, kritikon drejtësinë e MPJ-së dhe konsideron se mos angazhimi i diplomacisë parlamentare është një dobësi, për të cilën gjë, thotë ai, përgjegjësinë më të madhe në këtë rrafsh e mban Ministria e Jashtme.

Në këtë ministri aktualisht predominojnë paragjykimet, personalizimi i funksioneve, që është gabim i skajshëm. Institucioni është institucion dhe duhet të respektohet, pavarësisht cili është bartësi i institucionit. MPJ-ja ka obligim parësor koordinimin dhe ekzekutimin e politikës së jashtme. Çdo e arritur në ketë fushë është meritë e ministrisë”, tha Hyseni.

Këto komente, anëtarët e komisionit i kanë bërë pas takimit të këtij komisioni deri sa kanë shqyrtuar dhe miratuar planin dhe programit e punës së komisionit për vitin 2013.

Kurse, zyrtare të Ministrisë së Jashtme, nuk kanë gjetur kohë të japin ndonjë deklaratë lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, analistët politikë kosovarë kanë vlerësuar se diplomacia parlamentare duhet të aktivizohet sa më parë, pasi që, sipas tyre, Kosova nuk ka arritur numrin e mjaftueshëm të njohjeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG