Demokracia në Kosovë, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, vazhdon të jetë në një shkallë jo të duhur, me gjithë përpjekjet dhe vullnetin që ajo të zhvillohet sa më shumë.
Kosumi thotë se ajo që më së shumti është duke vështirësuar zhvillimin e demokracisë, është papërgjegjësia.
"Institucionet e Kosovës, gati se janë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha strukturat nuk janë llogaridhënëse sa duhet. Mungon sistemi i kontrollit dhe kjo mund të jetë për shumë arsye. Kosova si shtet ka problem me njohjet, ende ka probleme me procesin e integrimeve evropiane ose sistemi i drejtësisë është shumë i brishtë", tha Kosumi për Radion Evropa e Lirë.
Në disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë, thonë se mungesa e vullnetit politik dhe e vetë udhëheqësve të institucioneve, ka bërë që demokracia në vend të mbetet në nivel të ulët.
Albana Rexha, analiste e lartë e politikave në organizatën Demokraci Plus, organizatë kjo që pos tjerash ka për qëllim rritjen e llogaridhënies dhe ndikimit në proceset e vendimmarrjes, thotë se janë tre faktorë që kanë kontribuuar në rënie të demokracisë në Kosovë.
Ndryshimi i tri qeverive brenda një viti, frikësimi dhe kërcënimet e shumta nga Beogradi ndaj qytetarëve serbë si dhe sulme verbale dhe fizike ndaj gazetarëve, sipas Rexhës, janë ndër faktorët që kanë ndikuar në rënien e nivelit të demokracisë në Kosovë.
"Vlerësoj se ndryshimi i tri qeverive brenda një viti, konkretisht formimi i Qeverisë Hoti me një votë më shumë, votë kjo e dhënë nga një deputet me rekord kriminal, si pasojë e së cilës kjo qeveri edhe u shpall anti-kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se është faktori kryesor për vlerësimin e bërë nga Freedom House, do të thotë një rënie të demokracisë në vendin tonë", tha Rexha.
Në raportin e sivjetshëm të organizatës ndërkombëtare Freedom House, të titulluar “Kombet në Tranzicion 2021”, aty ku flitet edhe për Kosovën, thuhet se për herë të parë pas pesë vjetëve, Kosova ka shënuar kthim mbrapa në demokratizim.
Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta me të lartin, Kosova i ka 3.14 pikë, në krahasim me 3.18 sa ka pasur vitin e kaluar.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, megjithatë thotë se zhvillimi i demokracisë dhe shtetndërtimit, procese nëpër të cilat po kalon Kosova, janë dy rrugëtime ndonjëherë kundërthënëse me njëra-tjetrën dhe sfiduese në ndjekjen e vlerave dhe qëllimeve për të ndërtuar një kulturë institucionale e publike të demokracisë.
"Nëse merren parasysh zhvillimet, si zgjedhjet e lira dhe të drejta, transferimi i pushtetit, reformat dhe zhvillimet në disa parti politike etj, mund të themi se krahasueshëm më mirë me vendet e rajonit, Kosova vazhdon të lëvizë drejt një demokracie të konsoliduar", tha Kryeziu.
Profesori universitar, njëherësh ish-kryeministër i Kosovës, Bajram Kosumi, thotë se për të shkuar drejt përmirësimit të demokracisë, duhet të ndryshohen gjërat, duke filluar nga sistemi i drejtësisë.
"Vetting-u në sistemin e drejtësisë është i pari. Absolutisht duhet një skanim me detaje i tërë sistemit sepse po nuk pate drejtësi, të gjitha sistemet e tjera pastaj bëhen jofunksionale", thotë Kosumi.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se Kosova ka ligje të mira, që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, por zbatimi i tyre mbetet ende sfidë.
Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare Freedom House, thotë se sa u përket vendeve të rajonit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, kanë shënuar rënie po ashtu, derisa Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina kanë shënuar përparim.
Ky raport ka analizuar qeverisjen në 29 shtete nga Evropa Qendrore deri në Azinë Qendrore.
Rezultatet për secilin shtet bazohen varësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën janar-dhjetor 2020.
Facebook Forum