Ndërlidhjet

Së shpejti, Kosova me listë finale të organizatave terroriste


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Institucionet e Kosovës, të cilat i takojnë sektorit të sundimit të ligjit, brenda pak ditësh do të takohen, për të koordinuar veprimet dhe përgjegjësitë për zbatimin e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një liste të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do t’i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se në këtë drejtim, aktivitetet e institucioneve dhe dikastereve qeveritare do të intensifikohen gjatë javës që vjen.

“Jemi një varg institucionesh, të cilat duhet të marrin disa vendime për sa i përket dekretit të presidentit, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Besoj që ditëve në vijim edhe kryeministri (Ramush Haradinaj) do ta thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku do të diskutojmë për dekretin e presidentit dhe do t’i ndajmë përgjegjësitë tona. Tashmë kemi filluar, në nivel teknik, ndarjen e përgjegjësive tona, për sa u përket obligimeve karshi këtij dekreti të presidentit për shpalljen e organizatave terroriste, në linjë me atë të Bashkimit Evropian”, thekson Tahiri.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson dekretin e presidentit Thaçi për krijimi i listës së personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, si veprim mjaft të duhur përderisa Kosova është pjesë e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Mendoj që kjo vjen në momentin e duhur, sidomos tash kur “lista e zeze’ e Bashkimit Evropian është përditësuar në janar dhe vazhdon të jetë obligim i institucioneve të sektorit të sigurisë që ato ta përditësojnë me të dhënat e reja, si dhe ta fusin në sistem, me qëllim të identifikimit në hyrje apo në vendkalime kufitare, qoftë në pjesën tokësore, qoftë në Aeroportin ndërkombëtar në Prishtinë”, shprehet Ibishi.

Ministri Tahiri vlerëson që krijimi i listës së personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, do të kontribuojë shumë sigurisë nacionale të Kosovës, si dhe bashkëpunimit juridik ndërkombëtar të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.

“Këtu po hyjmë në një proces shumë të rëndësishëm, ku do të rrisim kujdesin dhe angazhimin tonë karshi individëve, të cilët mund të jenë në lista, karshi njerëzve, të cilët mund të jenë udhëheqës, lider të këtyre organizatave dhe që, në një formë ose tjetër, mund ta frekuentojnë qoftë Kosovën, qoftë rajonin. Do të jemi më vigjilent dhe të angazhuar karshi kërcënimeve që mund të vijnë nga organizatat e tilla”, thotë Tahiri.

Ndërkaq, Ibishi vlerëson se deri më tash, pa një listë të tillë, qoftë të organizatave, e sidomos të personave që janë të përfshirë në organizata terroriste, ka qenë e pamundur që ata të identifikohen shpejt.

“Vetë procedimi i tyre përmes zyrës së INTERPOL-it në Kosovë, ka shkuar shumë ngadalë dhe me procedurë të zvarritur. Kështu që shumë herë ka ndodhur që kanë mundur të kalojnë personat e tillë nëpër territorin e Kosovës, qoftë transit apo edhe të hyjnë në Kosovë pa nj kontroll të mirëfilltë”, shpjegon Ibishi.

*Video nga arkivi:Kosovë: Frika e luftëtarëve të huaj nga ligji

Kosovë: Frika e luftëtarëve të huaj nga ligji
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:44 0:00

Dekretin që obligon institucionet e sigurisë të krijojnë listën vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, presidenti Thaçi e ka nxjerrë me 27 qershor të këtij viti.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, përmes një postimi në rrjetin social Tëitter, e kishtepërgëzuar vendimin e presidentit të Kosovës, i për krijimin e listës vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste. Ai kishte theksuar se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin emërtimin e Hezbollahut si organizatë terroriste nga autoritetet e Kosovës dhe bëri thirrje që të gjithë t’i bashkohen kësaj iniciative.

Deri në krijimin e listës vendore institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG