Ndërlidhjet

Koronavirusi ekspozon pabarazitë racore


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Një nga pak gjërat e qarta që kanë dalë nga mjegulla e pandemisë së koronavirusit është se njerëzit me ngjyrë dhe pakicat e tjera etnike në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar kanë më shumë rrezik të vdesin nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

Hulumtimet e fundit, të bazuara në të dhënat e raportuara nga shtetet amerikane, tregojnë se shkalla e vdekshmërisë tek amerikanët me ngjyrë është 2.4 herë më e lartë se te të bardhët, thotë laboratori i kërkimeve APN.

Në Britani, një përmbledhje nga Agjencia qeveritare e Shëndetit Publik ka treguar se një person me ngjyrë, ose me prejardhje aziatike ka dy herë më shumë të ngjarë të vdesë nga koronavirusi.

Derisa informacionet mungojnë dhe faktorët kontribuues janë të shumtë, vëzhguesit përmendin pabarazitë strukturore dhe sociale si arsye kryesore të kësaj situate.

“Ky virus po ekspozon pabarazitë endemike që janë injoruar për shumë kohë”, ka thënë më 2 qershor komisionerja për të Drejta të Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet.

"Në Shtetet e Bashkuara, protestat e shkaktuara nga vrasja e George Floydit po nxjerrin në pah jo vetëm dhunën e policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, por edhe pabarazitë në shëndet, arsim, punësim dhe diskriminimin endemik racor", ka thënë ajo.

Universiteti Johns Hopkins, institucion me seli në SHBA, i cili është cituar shumë për shifrat e të infektuarve dhe të viktimave me koronavirus, ka mbledhur të dhëna për COVID-19 në SHBA, bazuar edhe në racë.

Pabarazitë e gjetura në informacionet nga më shumë se 40 shtete tregojnë se si sëmundja prek në mënyrë joproporcionale popullsitë e minoriteteve, veçanërisht afrikano-amerikanët, dhe nxjerr në pah ndryshimet në statusin socio-ekonomik.

Rrënjët e zemërimit në SHBA
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:24 0:00

Në një intervistë që shoqëron të dhënat, Lisa Cooper, drejtoreshë e Qendrës për Barazi Shëndetësore në Johns Hopkins, ka shpjeguar disa realitete të përditshme për shumë njerëz me ngjyrë dhe pakica të tjera.

"Për shkak se shumë njerëz të pakicave racore dhe etnike jetojnë në varfëri, ata po e përjetojnë këtë pandemi në një mënyrë tjetër", ka thënë Cooper.

"Për shembull, ata duhet të mbështeten në transportin publik nëse nuk mund të përballojnë të kenë makinë; duhet të blejnë më shpesh ushqime pasi që nuk mund të përballojnë rezervat e mallrave. Po ashtu nuk kanë sigurim shëndetësor ose qasje në kujdes të rregullt mjekësor", ka thënë ajo.

Mungesa e qasjes në automjete personale, për shembull, mund të ndikojë në strategji të gjera për të luftuar shpërthimin e koronavirusit, siç është krijimi i qendrave të testimit duke kaluar me makinë nëpër to.

Sëmundjet shoqëruese, nga të cilat personat me ngjyrë vuajnë më shumë se të bardhët – të tilla si astma, problemet me zemër apo me mushkëri – mund të kontribuojnë në nivele më të larta të vdekshmërisë nga koronavirusi dhe vëzhguesit i shohin pabarazitë shoqërore si shkak edhe i tyre.

SHBA, foto nga arkivi.
SHBA, foto nga arkivi.

Ideja që gjenetika është përgjegjëse për pabarazitë përshkruhet si "e gabuar dhe e dëmshme" nga Science American, një revistë shkencore amerikane.

Kushtet që mund të jenë të pranishme së bashku me shkakun kryesor të vdekjes mund t’i shpjegojnë disa dallime, thuhet në një raport të revistës mjekësore The Lancet, të publikuar në muajin në maj.

Por, marrë parasysh të dhënat e marra nga Shtetet e Bashkuara dhe Agjencia e Shëndetit Publik në Britani, të cilat janë përshkruar si “shembuj të rëndësishëm globalë”, autorët kanë thënë se ata “mbështesin shpjegimet socio-ekonomike dhe mjedisore dhe jo ato biologjike”.

Shpjegimet biologjike "kanë qenë të dëmshme për shkencën dhe popullsinë historikisht", kanë thënë ata.

Sipas tyre, “popullsitë e pakicave etnike/racore duhet të kenë qasje në kujdes shëndetësor, të barabartë me të tjerët. Mjerisht, kjo duket se nuk është e vërtetë".

Lëvizja “Jeta e afrikano-amerikanëve vlen”, e cila është në qendër të protestave aktuale kundër racizmit në SHBA, ka kërkuar më shumë të dhëna racore për koronavirusin.

"Ky virus është shkatërrues për ne", ka shkruar kjo lëvizje në një opinion në muajin prill.

“Jemi punëtorë thelbësorë që e mbajmë në lëvizje vendin; jemi transportues të postës, ofrues të transportit dhe punonjës në spitale. Ne nuk mund të rrimë në shtëpi”.

‘Më ekspozo ndaj koronavirusit’
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:04:32 0:00

Komisionarja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Bachelet, ka theksuar po ashtu “ndikimin shkatërrues” të koronavirusit te njerëzit me prejardhje afrikane, si dhe te pakicat etnike në disa vende, përfshirë: Brazilin, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

“Është tragjedi që COVID-19 ka ekspozuar atë që është dashur të jetë e qartë. Qasja e pabarabartë në kujdesin shëndetësor, banesat e mbipopulluara dhe diskriminimi i përhapur i bëjnë shoqëritë tona më pak të qëndrueshme, më pak të sigurta dhe më pak të suksesshme", ka thënë Bachelet.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG