Ndërlidhjet

Kush dhe ku është më i rrezikuar nga COVID-19?


Barcelonë, Spanjë.
Barcelonë, Spanjë.

Edhe pse kanë kaluar gati gjashtë muaj prejse është shfaqur dhe janë infektuar mbi katër milionë njerëz, ka shumë gjëra që bota nuk i di për koronavirusin.

“Ne vazhdomë të befasohemi”, thotë Marjorie Pollack, epidemiologe në Nju Jork dhe zv/redaktore e Programit për Monitorimin e Sëmundjeve të Reja (ProMED).

Pollack ka ndjekur nga afër rrugën vdekjeprurëse të koronavirusit. Ajo ka alarmuar botën për ekzistencën e tij, duke shpërndarë gjerësisht një paralajmërim shëndetësor në Vuhan, më 30 dhjetor.

“Ajo që do të zbulosh është se [ky koronavirus] ka shumë të panjohura”, thotë Pollack për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë mendojmë se dimë?

Të dhënat e rasteve deri më tani tregojnë se disa njerëz janë më të rrezikuar nga simptomat serioze të sëmundjes COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi.

Ky grup përfshin të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera.

Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se më të rrezikuar mund të jenë ata që vuajnë nga hipertensioni ose sëmundje të tjera të qarkullimit të gjakut, sëmundje kronike të mushkërive, diabeti, mbipesha e rëndë, sëmundjet e mëlçisë ose veshkave, ose njerëz me sistem të dobët imuniteti.

Sipas CDC-së, shumë më tepër burra sesa gra kanë vdekur ose kanë përjetuar simptoma më të të rënda të sëmundjes COVID-19.

Mosha është një gjë, por nuk është gjëja e vetme

Në përgjithësi, fëmijët ia kanë dalë shumë më mirë se të rriturit në këtë pandemi.

Studime të shumta kanë treguar për një vdekshmëri shumë të ulët në mesin e fëmijëve të infektuar. Niveli i vdekshmërisë rritet gradualisht deri në moshën 60 vjeç. Pas kësaj moshe, rreziku është më i madh.

Sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore The Lancet, norma e vdekshmërisë te pacientët në të 30-tat është 0.15 për qind, ose 15 në 10,000 të infektuar, krahasuar me 13.4 për qind, ose rreth 1,500 në 10,000 të infektuar, te pacientët 80 vjeç ose më të vjetër.

Expose: Si i prek fëmijët koronavirusi?

Si i prek koronavirusi fëmijët?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:07:58 0:00

Megjithatë, disa vdekje të adoleshentëve në Francë, Belgjikë dhe Shtete të Bashkuara nuk janë sqaruar.

Po ashtu, rreth 100 fëmijë në shtetin e Nju Jorkut është thënë se vuajnë nga një sëmundje e re që lidhet me ekspozimin ndaj koronavirusit, e që mjekët e kanë quajtur Kavasaki. Ajo shkakton inflamacion në të gjithë trupin

Veri dhe jug?

Shumica e shpërthimeve më të këqija të koronanvirusit, i cili me gjasë ka kërcyër nga kafsha në njeri në fund të vitit të kaluar, kanë ndodhur në Hemisferën Veriore, ku ka pasur pranverë dhe dimër.

Për disa patogjene mund të thuhet se lidhen me sezonin, por jo edhe për koronavirusin e ri.

"Koronaviruset janë më të zakonshme në mot të ftohtë, por jo të gjitha", thotë Daniel Singer, drejtor rajonal i CDC-së për Azinë Qendrore.

"Një koronavirus është ai që shkakton Sindromën e Frymëmarrjes së Lindjes së Mesme (MERS) dhe ai ka ardhur nga devet në Lindjen e Mesme, ku është shumë ngrohtë. Por, ky koronavirus [i ri] nuk ka një rregull shumë të mirë që na tregon saktësisht se si do të sillet", thotë Singer.

Ambientet e mbushura

Ekzistojnë prova të konsiderueshme që sugjerojnë se hapësirat e dendura me banorë mund të jenë më në rrezik nga infektimi me koronavirus.

“Një nga gjërat që ka dalë në dukje shumë herët në Vuhan, është se [sëmundja] është transmetuar mjaft brendapërbrenda ambienteve shtëpiake, përpara se të shpërthente në komunitet”, thotë Pollack.

Një gjë e tillë mund të prekë shumë vendet që mbështeten te punëtorët migrantë, si për shembull Rusia. Atje ka një numër të madh migrantësh nga Azia Qendrore, që shpesh jetojnë bashkë në hapësira të vogla.

Megjithatë, të jetuarit në ambiente të ngushta, që e bën të vështirë distancimin fizik, nuk është dukuri vetëm e komuniteteve migruese.

A mund t’ju ndihmojë spitali lokal?

"Unë mendoj se vendi më i keq për të qenë është një vend që nuk ka kapacitete mjekësore për të trajtuar rastet serioze", thotë Pollack.

Por, kjo mund të mos zgjasë përgjithmonë.

Edhe Italia veriore, pasi fillimisht ishte “e mbingarkuar", përfundimisht ishte në gjendje të organizonte burimet mjekësore për të ndaluar rritjen e numrit të rasteve me COVID-19, thotë Pollack.

Si zona më me pak fat, ajo përmend dy qytete në Brazil dhe Peru, që së shpejti mund të shohin shpërthime të ngjashme si në Itali.

"Dallimi është: Italia përfundimisht ka mundur t’i sigurojë furnizimet e nevojshme", thotë Pollack.

Romë, Itali
Romë, Itali

Besimi në qeveri

Autorët e një studimi të vazhdueshëm global “Matja e Sjelljes së COVID-19 dhe Besimet” nuk pohojnë se ka ndonjë lidhje midis besimit dhe ashpërsisë së pandemisë në vendet ku kanë studiuar.

Por, është gjithashtu e vërtetë se të anketuarit në studimin e tyre, në disa prej vendeve të prekura më së këqi, i konsiderojnë qeveritë e tyre si “pak të besueshme”.

Rezultatet e 85,000 të anketuarve të parë nga 51 vende e vendosin Venezuelën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe Bjellorusinë në mesin e dhjetë vendeve “më pak të besueshme... në lidhje me shpërthimin e koronavirusit".

Sipas shifrave zyrtare, Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe Rusia prijnë me numrin më të madh të rasteve me COVID-19.

Numrat zyrtarë të të infektuarve në Venezuelë janë të ulët, por po vihen në pikëpyetje, së bashku me strategjinë e saj të testimit, të bazuar në anti-trupat COVID-19.

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, po ashtu ka kaluar muaj të tërë duke hedhur poshtë seriozitetin e pandemisë dhe ndoshta duke gënjyer për numrat.

Nga ana tjetër, Singapori, Danimarka dhe Letonia janë ndër qeveritë që shihen nga të anketuarit si më të besueshmet.

Të trija këto vende thuhet se kanë zbatuar strategji efektive, por të ndryshme, të cilat i kanë mbajtur numrat e të infektuarve më poshtë se në vendet e tjera.

Një tjetër fakt është se të anketuarit kanë renditur "besueshmërinë" e Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar - dy nga vendet më të goditura në botë - afër mesatares dhe përkrah vendeve më pak të prekura, si Shqipëria dhe Sllovakia.

Kushtet e punës

Shumë studime kanë treguar se kushtet e punës mund të jenë faktorë të mundshëm të rrezikut nga COVID-19.

Në Kaliforni, një anketë ka treguar se 90 për qind e atyre që kanë testuar pozitivisht për koronavirus, gjithashtu "kanë raportuar se nuk kanë qenë në gjendje të punojnë nga shtëpia".

Shifrat nga Anglia dhe Uellsi po ashtu kanë sugjeruar se burrat në punë të pakualifikuara vuajnë më shumë.

Por, përveçse inkurajon që mbrojtja e duhur t’iu jepet punonjësve shëndetësorë dhe pranon rrezikun e shtuar për punonjësit e sektorëve shërbyes, që nuk mund ta dinë nëse janë në kontakt me konsumatorë të infektuar, Organizata Ndërkombëtare e Punës nuk e veçon ndonjë sektor si më të rrezikuar.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG