Ndërlidhjet

Pak shpresë se politika kosovare mund të bashkohet rreth dialogut


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Përfaqësuesit e partive politike në pushtet thonë se Kosova duhet të jetë unike gjatë dialogut Kosovë-Serbi në mënyrë që të ruhet sovraniteti dhe integriteti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se me spektrin politik janë në rrugë të mirë për të arritur një konsensus, i cili siç tha ai, është interes i qytetarëve që të ruhet shteti dhe partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

"Duhet të evitojmë interesat tona elektorale për momentin. Të orientohemi te ballafaqimi i një sfide që nuk është e lehtë - ajo është Serbia. Në të njëjtën kohë, qytetarët e Kosovës duhet të jetë sigurt në partitë politike, në institucionet e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovraniteti, kushtetutshmërisë, integriteti edhe në të njëjtën kohë për moslejimin e krijimit të pushteteve paralele, të cilat do të mund të dëmtonin Kosovën aktualisht, po në të njëjtën kohë do të mund ta ndanin nesër. Kjo është e papranueshme", tha Veseli.

Veseli ftoi partitë opozitare, që siç tha ai, "të lënë egot dhe inatet dhe të kalojmë në pjesën e ballafaqimit me Serbinë", pastaj, tha ai, ka kohë për të 'luftuar' për pushtet.

Pas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, Kryesia e Kuvendi ka vendosur që seancën ta mbajë më 31 tetor, ku pret të miratohet rezoluta, e cila do të kërkojë që çështja e kufijve të Kosovës të mos diskutohet në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se interes i vendit është mbrojtja e territorit dhe sovraniteti dhe për këtë duhet të punojnë të gjithë.

"Kjo nismë duhet ta ketë përfundimin e merituar, ashtu siç është kërkesë edhe e shumicës së qytetarëve të Kosovës, qoftë si shqetësim apo qoftë si diçka që është shumë parimore. Mbi të gjitha është ligjore e kushtetues mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës dhe moslejimi që të kemi negociata për asnjë çështje e cila i prek elementet kushtetuese të shtetit tonë", tha Zemaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk pranon ndonjë marrëveshje me Serbinë që çon drejt ndryshimit të kufijve.

Sipas tij, në drejtim të dialogut mes Serbinë, të gjitha institucionet, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca duhet t'i kryejnë detyra e veta në mënyrë që Kosova të mos mbetet vonë.

"Mendoj se jemi duke u vonuar. Mendoj se edhe LDK që është inicuese e kësaj seance dhe kushdo, jemi duke u vonuar. Vazhdojmë të flasim për atë se çka nuk bën, po nuk jemi duke nxjerr një opsion edhe realisht po e dobësojmë veten në planin e jashtëm. Është një qasje e vonë, në kohën kur proceset po ikin", ka deklaruar Haradinaj në një konferencë për media.

Politologu Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është e detyruar të bëjë një dialog politik me Serbinë të cilin ende nuk e ka të qartë pse është i nevojshëm dhe, siç tha ai, gjithashtu Kosova nuk e di se çka duhet të ofrojë dhe çka duhet të bëjë.

"Kosova duhet të bëjë një debat të brendshëm. Por, Kosova duke respektuar veten si shtet sovran dhe të pavarur, duhet të ofrojë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Nuk mundet garnitura udhëheqëse të ofrojë asgjë më tepër sesa është e paraparë me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës dhe asgjë më shumë sesa që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çdo gjë tjetër që po nxirret në opinion edhe që ka të bëjë me korrigjim të kufirit, që ka të bëjë me çështje tjera të autonomisë, bashkësinë e komunave dhe çështje tjera që hapen, për mendimin tim e turbullojnë më shumë gjendjen sesa e sqarojnë më shumë gjendjen", tha Tahiri.

Ai tha se Kosova duhet të sillet si shtet normal edhe karshi Serbisë edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare, dhe sipas tij, gjatë bisedave duhet të shihet si të bëhet kompromisi për marrëveshje për normalizimin e përgjithshëm të raporteve Kosovë-Serbi.

Përderisa subjektet politike në pushtet dhe opozitë nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në dialog dhe platformën për bisedime, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje partive politike parlamentare për unitet në Kuvendin e Kosovës, sidomos në lidhje me platformën për bisedimet me Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG