Ndërlidhjet

Të mërkurën seancë e jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Më 31 tetor (e mërkurë), Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kështu u vendos në Kryesinë e Kuvendit, ku u miratua kërkesa e 42 deputetëve, të cilët kërkojnë debat parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e kufirit, apo, siç e quan presidenti, “korrigjimin” e tij.

Deputetët që kanë thirrur këtë seancë, kërkojnë që në fund të debatit të miratojnë një rezolutë, e cila do t’ia ndalonte presidentit që në dialog të flasë për territorin.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, parti kjo nismëtare e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, tha se shpreson që të mërkurën, në Kuvend do të ketë kuorum të nevojshëm që të mbahet seanca.

Një seancë për të njëjtën kërkesë nuk kishte mundur të zhvillohej më herët, pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha pas mbledhjes së Kryesisë se janë “në rrugë të mirë për të pasur konsensus”.

“Shpresoj se jemi në rrugë të mirë për të pasur konsensus, i cili është edhe interes i qytetarëve: mbrojtja e sovranitetit, mbrojtja e shtetit dhe në të njëjtën kohë ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Veseli.

Veseli shtoi se ka pasur një propozim që të hartohet një rezolutë e përbashkët e të gjitha grupeve parlamentare lidhur me çështjen e dialogut.

“Unë e pata një propozim që të fillojmë nga sot që të kemi harmonizim rreth një rezolute të përbashkët. Qëllimi ynë është që të jemi bashkë. Në këtë moment shumë të ndjeshëm politikisht, duhet të evitojmë interesat tona elektorale dhe të orientohemi te ballafaqimi me një sfidë, e cila nuk është e lehtë - ajo është Serbia”, tha Veseli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të paraqesë idenë e tij, siç e quan ai, të “korrigjimit të kufirit”, që, sipas tij, nënkupton bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG