Macron përsërit thirrjen në paqe në bisedë me Putinin
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka biseduar të hënën me presidentin rus, Vladimir Putin, duke përsëritur thirrjet ndërkombëtare për Moskën që t’iu japë fund sulmeve ndaj Ukrainës, sipas një deklaratë të lëshuar nga Presidenca franceze.
Në të është thënë edhe se Macron ka theksuar nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm.
Presidenca franceze ka thënë se Macron i ka kërkuar liderit rus që të ndalë të gjitha sulmet kundër civilëve dhe ndërtesave, të ruajë infrastrukturën civile dhe të garantojë sigurinë në rrugët kryesore.
Putin ka konfirmuar gatishmërinë e tij ndaj këtyre kërkesave, është thënë në deklaratë.
Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini për të njëjtën bisedë telefonike, është përmendur se Putin i ka thënë Macronit se “zgjidhja është e mundshme vetëm nëse merren parasysh interesat legjitime të Rusisë për sigurinë – duke përfshirë njohje dhe sovranitetin rus në Krime si dhe një zgjidhje për objektivat rreth çmilitarizimit dhe denazifikimit të shtetit ukrainas dhe garancisë se do të ketë status neutral”.
Franca ka thënë në deklaratë se Macron i ka kërkuar po ashtu homologut rus që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vijim për të parandaluar përshkallëzimin e luftës.
Sipas deklaratës, palët janë pajtuar në këtë pikë.
Përfundojnë bisedimet Ukrainë-Rusi
Ukraina dhe Rusia kanë përfunduar bisedimet për paqe dhe tani do të rikthehen në kryeqytetet respektive për konsultime tjera para rundit të dytë të negociatave, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar agjencinë Belta.
Disa media tjera kanë cituar zyrtarë rusë të kenë thënë se takimet e reja do të zhvillohen në ditët në vijim.
Ukraina ka thënë se dëshiron armëpushim dhe tërheqje të ushtrisë ruse, derisa Kremlini ka thënë se nuk do ta bëjë publik qëndrimin e tij.
Negociatorët rusë kanë përmendur arritjen e një marrëveshjeje që është në interesin e të dyja palëve.
Vladimir Medinsky, udhëheqës i delegacionit rus, ka thënë se takimi i ri do të zhvillohet në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.
Ukrainasit kthehen në atdhe për të luftuar
Përderisa qindra mijëra refugjatë po ikin nga Ukraina, pas sulmit rus ndaj vendit të tyre, disa burra dhe gra ukrainase po kthehen në vendin e tyre nga shtete të ndryshme evropiane, për të ndihmuar në mbrojtjen e atdheut të tyre. Nja 22,000 njerëz kanë hyrë në Ukrainë që nga e enjtja, kur Rusia e ka pushtuar atë, ka bërë të ditur Roja Kufitare e Polonisë.
Britania shton sanksionet në bankat dhe anijet ruse
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss ka bërë të ditura sanksione të reja në tri banka ruse, duke përfshirë “bankën kombëtare të zhvillimit të Rusisë”.
Ajo u ka thënë ligjvënësve britanikë se është e vendosur “për të shtuar edhe më tej” veprimet kundër Rusisë.
Truss ka thënë se “Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët do të duhet të kalojnë në periudhë me të rëndë ekonomike për shkak të sanksioneve”, mirëpo “këto vështirësi janë asgjë në krahasim me atë që po përballet populli i Ukrainës”.
Autoritetet britanike u kanë kërkuar porteve që të mos ofrojnë qasje në anijet e regjistruara, në pronësi, apo të kontrolluara nga Rusia.