BE pret nga Serbia që të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian ka ripërsëritur thirrjen ndaj të gjitha shteteve kandidate, përfshirë edhe Serbinë, që të përshtaten me vendimet e bllokut sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë të hënën se “nga vendet kandidate, siç është Serbia” presim që “t’u bashkohen qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.
Protestat kundër luftës përhapen në mbi 50 qytete ruse
Nga Shën Pjetërburgu deri në Siberi, rusët po vazhdojnë të shprehin kundërshtimin ndaj pushtimit ushtarak të Ukrainës nga ana e vendit të tyre, teksa protestat kundër luftës janë përhapur në më shumë se 50 qytete të Rusisë. Policia ka shtypur protestat më 27 shkurt, duke arrestuar më shumë se 2,700 persona, sipas grupit për të drejta, OVD-Info.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mblidhet në takim urgjent
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është duke mbajtur të hënën vetëm takimin e 11-të urgjent prej kur është themeluar.
I pari është mbajtur më 1956.
Natyra e rrallë e këtyre takimeve thekson shqetësimin e madh që ekziston për luftën në Ukrainë.
Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Abdulla Shahid, ka nisur takimin duke thënë se Asambleja përfaqëson ndërgjegjen kolektive të njerëzimit dhe forca e tij është e rrënjosur në autoritetin e tij moral.
Të gjitha 193 kombet kanë të drejtë për t’u deklaruar në këtë Asamble, për dallim nga Këshilli i Sigurimit, i cili ka pesë vende anëtare që marrin vendime dhe 10 vende anëtare me mandate dyvjeçare.
Shahid u ka bërë thirrje të gjitha kombeve që të demonstrojnë kurajë morale dhe të shfrytëzojnë debatin “jo për të rritur retorikën e luftës, por për t’i dhënë paqes edhe një mundësi”.
Diplomatët pritet të votojnë për një rezolutë – e cila ende është duke u negociuar – të mërkurën.
Parlamenti ukrainas: Zelenskyi nënshkruan aplikacionin për anëtarësim në BE
Parlamenti ukrainas ka publikuar një fotografi të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi duke thënë se shpërfaq momentin kur ai ka nënshkruar aplikacionin që bën thirrje për anëtarësim të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
“Ky është moment historik”, është thënë në një postim të publikuar në Twitter.
Më herët gjatë ditës, Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Ukrainës anëtarësimin të menjëhershëm, me procedurë të veçantë.
“Qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe, më e rëndësishmja, të jemi të barabartë. Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se e meritojmë”, ka thënë Zelenskyi në një video-fjalim të shpërndarë në mediat sociale.