Guterres: Pushtimi rus ka shtuar shkeljet e të drejtave të njeriut
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shtuar shkeljet e të drejtave të njeriut.
Në një adresim të regjistruar, në hapje të një sesioni të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Guterres tha se OKB-ja ka ekipe në terren për të monitoruar situatën.
“Përshkallëzimi i operacioneve ushtarake nga Federata Ruse në Ukrainë po çon në përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha ai, pa dhënë më shumë detaje.
“Ne duhet t’iu tregojmë të gjithë njerëzve në Ukrainë se u qëndrojmë pranë në kohën kur kanë nevojë”, shtoi Guterres.
Për më shumë lexoni këtu.
Refugjatë ukrainas arrijnë në Serbi
Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Serbi konfirmuan se në këtë vend kanë arritur refugjatët e parë nga Ukraina.
“Për momentin, ata [refugjatët] janë njerëz që vijnë te të afërmit dhe miqtë. Po na pyesin se si dhe ku të regjistrohen dhe si të marrin mbrojtje”, tha për Radion Evropa e Lirë Radosh Gjuroviq, drejtor i Qendrës joqeveritare për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Azilkërkuesve.
Sipas të dhënave që disponon kjo qendër, në Serbi aktualisht ka vende për pritjen e rreth 6,000 personave, ndërsa kjo organizatë pret mbërritjen e mbi 10,000 refugjatëve nga Ukraina.
“Afërsia e Ukrainës kërkon që ne të fillojmë të përgatitemi për ardhjen e papritur të njerëzve. I bëjmë thirrje shtetit që të rrisë kapacitetin e tij të pritjes sa më shpejt që jetë e mundur”, tha Gjuroviq.
Sipas ligjeve aktuale, qytetarët e Ukrainës mund të qëndrojnë në Serbi për një muaj pa viza.
Megjithatë, tha Gjuroviq, kjo nuk e zgjidh problemin nëse paraqitet një numër i madh i refugjatëve që nuk kanë strehim.
Sipas tij, Serbia duhet të miratojë një akt për mbrojtjen e përkohshme të refugjatëve.
Serbia, ndryshe nga shumica e vendeve të Evropës, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
A mund ta ndërpresë BE-ja vërtet varësinë ndaj gazit rus?
Ndarjet gjeopolitike midis Rusisë dhe Perëndimit janë thelluar në mënyrë dramatike - ndoshta edhe në mënyrë të pakthyeshme - pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska. Por, diçka e rëndësishme i lidh ende ata, së paku tani për tani: energjia.
Rusia, prej kohësh, ka qenë furnizuesja kryesore e Bashkimit Evropian me gaz natyror. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, ajo ka siguruar pothuajse gjysmën e të gjithë gazit natyror të importuar nga blloku.
Për më shumë:
Zyrtarët ukrainas: Rusia ka vrarë dhjetëra civilë në Kharkiv
Dhjetëra civilë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga bombardimet e rënda të ushtrisë ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, thanë zyrtarët ukrainas.
Anton Herashchenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, shkroi në Facebook se trupat ruse kanë bombarduar zonat e banuara me raketa Grad.
“Dhjetëra persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur. E gjithë bota duhet ta shohë këtë tmerr”, tha ai.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto informacione.
Një ditë më herët, Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës ka thënë se së paku 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus.
Vëzhguesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë thënë se kanë konfirmuar vrasjen e së paku 94 civilëve gjatë ditëve të para të luftimeve.