UNHCR: Rreth 422,000 njerëz kanë ikur nga Ukraina
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) tha se ka pranuar raporte për disa njerëz që janë bllokuar të hyjnë në trena në Ukrainë.
Një zëdhënëse shkroi në Twitter se UNHCR po i shqyrton këto raporte.
Sipas saj, 422,000 njerëz tashmë janë larguar nga Ukraina për në vendet fqinje.
UNHCR-ja “i konsideron njerëzit që ikin nga vendi si refugjatë”, shtoi ajo.
Sipas UNHCR-së, më shumë se 100,000 njerëz janë zhvendosur tani për tani brenda Ukrainës.
Përshëndetje dhe faleminderit që ndiqni blogun e Radios Evropa e Lirë!
Ora në Ukrainë është 13:13.
Disa nga lajmet e fundit për zhvillimet atje janë:
- Bisedimet midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë raportohet të kenë nisur në një vend në zonën kufitare midis Ukrainës dhe Bjellorusisë. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se bisedimet do të përqendrohen në kërkesën për armëpushim dhe tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar sot se 24 orët e ardhshme do të jenë kritike për Ukrainën. Shpërthime të mëdha janë raportuar para agimit të sotëm në kryeqytetin Kiev dhe zonat përreth.
- Zelensky po ashtu ka kërkuar anëtarësimin e Ukrainës me procedurë të shpejtë në Bashkimin Evropian, ndërsa u ka bërë thirrje ushtarëve pushtues të Rusisë që t’i dorëzojnë armët.
- Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se “mbi 5,000 ushtarë rusë janë vrarë”. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar se ushtria e saj ka pësuar humbje, por nuk ka dhënë asnjë shifër të saktë. Vëzhguesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë thënë se kanë konfirmuar vrasjen e së paku 94 civilëve gjatë ditëve të para të luftimeve.
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) ka thënë se 422,000 njerëz janë larguar tashmë nga Ukraina për në vendet fqinje. Sipas UNHCR-së, më shumë se 100,000 njerëz janë zhvendosur tani për tani brenda Ukrainës.
- Papa Françesku ka bërë thirrje për krijimin e korridoreve humanitare, për të ndihmuar refugjatët që të largohen nga Ukraina. Papa ka thënë se ata që bëjnë luftë nuk duhet të mashtrohen duke menduar se Zoti është në anën e tyre.
- Monedha kombëtare ruse ka rënë në nivel rekord, pasi G7, apo grupi i vendeve më të industrializuara, ka vendosur sanksione të ashpra financiare kundër Rusisë. Rubla ka rënë sot në 114 kundrejt dollarit amerikan, krahasuar me 83.7 në fund të javës së kaluar.
Pesë ditë pas pushtimit rus, palët nisin bisedimet
Në ditën e pestë të pushtimit rus të Ukrainës, delegacionet e dy vendeve kanë nisur bisedimet në Bjellorusi, që synojnë t'i japin fund luftës.
Zyra e presidentit ukrainas tha se dëshiron armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse.
Ndërkaq, Moska, sipas negociatorit rus, Vladimir Medinsky, dëshiron të arrijë një marrëveshje që është në interes të të dyja palëve.
Përpara fillimit të takimit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje trupave pushtuese ruse që t’i dorëzojnë armët.
Video: Arritja e delegacionit ukrainas në Bjellorusi
Stoltenberg: Aleatët po rrisin mbështetjen për Ukrainën
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleatët e NATO-s po e rrisin mbështetjen për Ukrainën, me raketa të mbrojtjes ajrore, me armë antitank, si dhe me ndihma humanitare dhe financiare.
Në një postim në Twitter, Stoltenberg tha se ka biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe se e ka përgëzuar atë për trimërinë e popullit dhe të forcave të armatosura të Ukrainës
Një ditë më herët, Bashkimi Evropian njoftoi se do të financojë armatimin e Ukrainës, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër pushtimit rus.
Shikojeni edhe këtë: