Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
10:57 28.2.2022

Zelensky kërkon anëtarësim në BE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit po përballet me një pushtim të paprovokuar nga Rusia fqinje, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Ukrainës anëtarësimin të menjëhershëm, me procedurë të veçantë.

“Qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe, më e rëndësishmja, të jemi të barabartë. Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se e meritojmë”, tha Zelensky në një video-fjalim të shpërndarë në mediat sociale.

“Evropianët janë dëshmitarë se si ushtarët tanë po luftojnë jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë Evropën, për paqen, për paqen për të gjithë, për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”, tha ai.

“Ukrainasit i kanë treguar botës se kush jemi ne, ndërsa Rusia ka treguar se në çfarë është shndërruar… Çdo krim, çdo granatim nga pushtuesi vetëm na bashkon më shumë”, shtoi Zelensky.

Ai u bëri thirrje edhe ushtarëve pushtues rusë që t’i dorëzojnë armët.

“Braktisni pajisjet tuaja! Largohuni nga këtu! Mos u besoni komandantëve tuaj! Mos u besoni propaganduesve tuaj! Thjesht, shpëtoni jetën tuaj”, tha Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

11:27 28.2.2022

MTS i largon kanalet ruse në Kosovë

Kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media në Kosovë (KPM), Faruk Rexhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e operatorëve shpërndarës, apo operatorëve kabllovikë, i kanë larguar nga transmetimi kanalet e Federatës Ruse.

“Jemi njoftuar se shumica e operatorëve i kanë larguar këto kanale. Ne sot i kemi monitoruesit në terren. Do të verifikohen operatorët e shpërndarjes që veprojnë në Kosovë se a e kanë respektuar vendimin e KPM-së apo jo”, tha Rexhaj.

Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës ka vendosur më 26 shkurt për largimin e përkohshëm nga transmetimi të të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse, me qëllim të, siç është thënë, parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se në mesin e këtyre kanaleve janë: RT, Russia 24 dhe Planeta RTR.

Fotografi ilustruese: Logo e kanalit televiziv rus RT.
Fotografi ilustruese: Logo e kanalit televiziv rus RT.

Faruk Rexhaj i KPM-së thotë se këto kanale janë transmetuar nga operatori i shpërndarjes MTS, i cili funksionon në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

MTS është nën pronësi të Telekomit Serb dhe është themeluar në vitin 2015, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

REL konfirmon edhe përmes disa personave privatë, të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, se kanalet ruse janë larguar nga MTS-i.

Sipas Rexhajt, ka qenë edhe një operator shqiptar që ka transmetuar kanale ruse.

“Ka pasur edhe operator shqiptar të shpërndarjes që ka bërë transmetimin e këtyre kanaleve. TELKOS ka pasur dy kanale ruse, mirëpo të njëjtat i ka larguar qysh para vendimit të KPM-së”, tha Rexhaj.

Nëse vendimi i KPM-së nuk respektohet, Rexhaj tha se do të ketë dënime për operatorët, deri te pezullimi i licencës.

Për më shumë lexoni këtu.

11:43 28.2.2022

Kryeministri holandez: Agresioni i Putinit duhet të ndalet

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, bëri thirrje për unitet ndërkombëtar, për t'i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë.

Duke folur në Parlament, Rutte tha se shtetet e lira dhe demokratike të botës "janë bashkuar në kundërshtimin e këtij pushtimi" dhe në "mbështetjen për popullin ukrainas".

"Ne duhet ta ndalojmë agresionin e Rusisë, agresionin e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë", tha Rutte.

Holanda e ka ndihmuar Ukrainën me disa pajisje ushtarake.

11:45 28.2.2022

Kurti dhe Rama shprehin solidaritetin me Ukrainën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, kanë shprehur solidaritetin me Ukrainën dhe popullin e saj.

Dy liderët po marrin pjesë në Samitin për Investime të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që po mbahet sot në Londër.

Kurti tha se shpreh admirimin e tij për popullin ukrainas dhe presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky, për, siç tha, “kurajën e tyre” ndaj agresionit rus.

Presidentja e BERZH-it, Odile Renaud-Basso, dhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, dënuan po ashtu pushtimin rus të Ukrainës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG