Delegacioni i Ukrainës arrin në vend-takimin me delegacionin rus
Delegacioni i Ukrainës mbërriti në një vend në zonën e kufirit me Bjellorusinë, për të marrë pjesë në bisedimet me përfaqësuesit e Federatës Ruse.
Lajmi u konfirmua nga Presidenca e Ukrainës në Twitter.
Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nuk pret që bisedimet të japin ndonjë rezultat.
Ukraina është nën pushtimin e plotë të Rusisë qysh më 24 shkurt.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s: Aleanca duhet të flasë gjuhën e Putinit
Pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, i ka “tejkaluar të gjitha pritjet tona” dhe do të ketë “implikime të dukshme” për rendin e sigurisë në Evropë, tha për Radion Evropa e Lirë ish-zëvendësi i sekretarit të NATO-s, Alexander Vershbow.
Vershbow, i cili ishte ambasador i SHBA-së në Rusi nga viti 2001 deri më 2005, tha se Putin është “i fiksuar me idenë e minimit të rendit të pas Luftës së Ftohtë” dhe kthimit të Evropës në një epokë, ku “kombet më të mëdha dominojnë kombet më të vogla”.
Kjo, sipas tij, do të thotë se aleanca ushtarake perëndimore, me bazë në Bruksel, do të duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër kur të merret me Kremlinin në të ardhmen.
“Fuqia e vërtetë vjen nga fuqia ushtarake. Putin sigurisht që ndihet kështu. Unë mendoj se NATO-ja do të duhet të zhvillojë një kulturë gatishmërie dhe të fillojë të flasë gjuhën e Putinit”, tha ish-diplomati.
Për më shumë lexoni këtu.
Fokusi i bisedimeve sipas Ukrainës: Armëpushimi dhe tërheqja e trupave ruse
Bisedimet me delegacionin rus do të fokusohen në arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina, tha Presidenca ukrainase.
Deklarata vjen pak kohë pas njoftimit se delegacioni ukraians ka arritur në një zonë në kufirin Ukrainë-Bjellorusi për bisedime me përfaqësues të Federatës Ruse.
Delegacioni ukrainas përfshin ministrin e Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, dhe këshilltarin presidencial, Mykhailo Podolyak.
Për delegacionin rus tash për tash nuk ka detaje.
Ukraina është nën pushtimin e plotë rus qysh më 24 shkurt.
Së paku 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës. Mbi 1,600 njerëz u raportuan të plagosur.
Ukraina thotë se “mbi 5,000 ushtarë rusë janë vrarë”
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se më shumë se “5,000 ushtarë rusë janë vrarë” në katër ditët e para të luftimeve në Ukrainë.
Në një deklaratë të postuar në Facebook, zyrtarët ukrainas thanë se rreth 5,300 trupa ruse janë vrarë, ndërsa janë shkatërruar 191 tanke, 29 avionë luftarakë, 29 helikopterë dhe 816 transportues të blinduar të personelit.
REL nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të dielën se ushtria e saj ka pësuar humbje, por nuk dha asnjë shifër të saktë.
Vëzhguesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thanë se kanë konfirmuar vrasjen e së paku 94 civilëve gjatë ditëve të para të luftimeve.
Sipas OKB-së, pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar “pasoja të rënda humanitare” dhe numri i viktimave mund të jetë dukshëm më i lartë.