Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:45 28.2.2022

Ukraina: Ofensiva ruse është ngadalësuar

Ushtria ukrainase tha të hënën se trupat ruse kanë ngadalësuar ofensivën e tyre.

“Okupatorët rusë kanë ulur ritmin e ofensivës, por ende po përpiqen të zhvillojnë sukses në disa fusha”, tha shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura.

“Armiku është i demoralizuar dhe po pëson humbje të mëdha”, thuhet në deklaratë.

Një ditë më herët, Rusia pranoi për herë të parë se ka humbje në radhët e ushtrisë së saj, por nuk dha statistika.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i urdhëroi të dielën forcat bërthamore që të vihen në gjendje gatishmërie.

09:00 28.2.2022

Mbi 360,000 ukrainas të zhvendosur

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) tha se rreth 368,000 njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje qëkur ka nisur pushtimi rus, më 24 shkurt.​

Rreth 150,000 prej tyre kanë shkuar në Poloni.

Një qendër për strehimin e refugjatëve ukrainas në Poloni.
Një qendër për strehimin e refugjatëve ukrainas në Poloni.

09:10 28.2.2022

Letonia i lejon qytetarët e saj të luftojnë në Ukrainë

Parlamenti i Letonisë votoi njëzëri për t’i lejuar shtetasit e tij të luftojnë në Ukrainë, nëse dëshirojnë.

“Qytetarët tanë që duan ta mbështesin Ukrainën dhe të shërbejnë vullnetarisht atje, për të mbrojtur pavarësinë e Ukrainës dhe sigurinë tonë të përbashkët, duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë”, tha Juris Rancanis, kryetar i Komisionit parlamentar të mbrojtjes, punëve të brendshme dhe parandalimit të korrupsionit, i cili e hartoi ligjin.

Letonia, e cila kufizohet me Rusinë dhe aleaten e saj, Bjellorusinë, ka ndihmuar tashmë Ukrainën me armatim, përfshirë raketa Stinger.

09:21 28.2.2022

Borrell: BE s'do t’i përgjigjet me “përshkallëzim” vendimit të Putinit për forcën bërthamore

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se BE-ja nuk do të përfshihet në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi forcën e tij bërthamore në gjendje gatishmërie.

“Ne nuk do të vazhdojmë me këtë përshkallëzim”, tha Borrell për BBC-në.

Rusia, me urdhrin e Putinit, ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Putin u tha të dielën shefave të tij të mbrojtjes se forca bërthamore duhet të vihet në gjendje gatishmërie, për shkak të “deklaratave agresive” të Perëndimit.

Shpërthim në qytetin Vasillkiv të Ukrainës, më 27 shkurt, 2022.
Shpërthim në qytetin Vasillkiv të Ukrainës, më 27 shkurt, 2022.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin ushtarak rus në Ukrainë dhe ka vendosur një varg sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë disa kundër Putinit dhe ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov.

Megjithatë, njoftimi i Putinit nuk do të thotë se Rusia synon të përdorë armë bërthamore.

SHBA-ja e dënoi menjëherë vendimin e tij, duke e cilësuar si “përshkallëzim të papranueshëm”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG