Avioni rus shkel hapësirën ajrore të Kanadasë
Një avion tregtar rus fluturoi në hapësirën ajrore kanadeze, pavarësisht masave të vendosura nga Kanadaja që parandalojnë çdo aeroplan rus të hyjë në territorin e saj.
Ministria e Transportit e Kanadasë tha se do të rishikojë sjelljen e fluturimit 111 të kompanisë ruse, Aeroflot, dhe se "nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime të duhura".
Sipas ueb-faqes së gjurmimit të fluturimeve Flight Aware, aeroplani po fluturonte të dielën për në Moskë, pasi u nis nga qyteti Majami në Florida të SHBA-së.
Kanadaja, së bashku me disa vende perëndimore, kanë mbyllur hapësirën ajrore ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
SHBA-ja tha se është duke konsideruar një veprim të ngjashëm.
Von der Leyen: Ukraina i takon BE-së
Ukraina i përket Bashkimit Evropian dhe blloku do të donte ta shihte atë si pjesë të tij, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për televizionin Euronews.
"Në të vërtetë, me kalimin e kohës, ata na përkasin neve. Ata janë një prej nesh dhe ne i duam ata”, tha von der Leyen.
Komentet pasojnë një votim historik të 27 vendeve të BE-së, për furnizimin me armë të Ukrainës.
Ukraina është nën pushtimin e plotë të forcave ruse qysh më 24 shkurt.
Shteti rus kundërshton integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ukraina në NATO do të ishte “kërcënim ekzistencial” për Rusinë, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin.
Kur ka dhënë urdhrin për pushtim, Putin ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak” për të “çmilitarizuar” Ukrainën.
Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.
Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore.
Mirëmëngjesi për të gjithë ju që sapo jeni kyçur në blogun tonë!
Disa nga lajmet e fundit janë:
- Izolimi politik dhe ekonomik i Rusisë është thelluar pasi forcat e saj kanë hasur në rezistencë të ashpër në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhe në qytete të tjera. Perëndimi po ashtu ka ashpërsuar sanksionet kundër Rusisë.
- Shpërthime janë dëgjuar në Kiev dhe në qytetin e Kharkivit të hënën në mëngjes, thanë zyrtarët ukrainas.
- Zyrtarët ukrainas dhe rusë pritet të zhvillojnë bisedime në një vend në kufirin Bjellorusi-Ukrainë, tha Zyra e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
- Vendet evropiane dhe Kanadaja kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për avionët rusë. Kanadaja tha se kompania ajrore ruse, Aeroflot, ka shkelur ndalesën mbi qiellin e saj.
- Bashkimi Evropian do të financojë armatimin e Ukrainës, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër pushtimit rus, thanë të dielën zyrtarë të lartë të BE-së. Rusia i cilëson veprimet e saj në Ukrainë si “operacion special”.
- Së paku 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës. Mbi 1,600 njerëz u raportuan të plagosur.
- Dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Evropën protestuan të dielën kundër pushtimit rus të Ukrainës. Në Rusi, më shumë se 5,500 njerëz u arrestuan në protesta të ndryshme kundër luftës.
Bjellorusia, gati për bisedime
Bjellorusia tha se ka përgatitur vendin për bisedimet midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë.
Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë sot në ditën e pestë.
Ukraina ra dakord të dërgojë diplomatë në një vendndodhje afër kufirit Ukrainë-Bjellorusi, pavarësisht raporteve se udhëheqësi autoritar i këtij vendi, Alexander Lukashenka, është gati të dërgojë trupa për t’iu bashkuar pushtimit.
“Vendi për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi është përgatitur. Pritet ardhja e delegacioneve”, tha Ministria e Jashtme e Bjellorusisë.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo publikoi një fotografi të një tavoline të gjatë, me flamuj rusë dhe ukrainas.
“Bisedimet do të fillojnë sapo të gjitha delegacionet të mbërrijnë në pikën e takimit”, tha Anatoly Glaz, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Bjellorisisë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nuk pret që bisedimet të japin ndonjë rezultat.