Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
06:47 28.2.2022

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Është ora 7:47 në Ukrainë dhe dita e pestë e pushtimit rus.

Sirenat raportohet se bien gjithandej.

Gjatë natës u raportuan disa shpërthime në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet tjera përreth.

Ushtria ukrainase tha se trupat e saj arritën të zmbrapsin disa sulme të ushtarëve rusë, që përpiqeshin të sulmonin periferitë e Kievit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë që një delegacion i vendit të tij të takohet në kufirin Ukrainë-Bjellorusi me një delegacion rus.

Ndonëse takimi është paralajmëruar për mëngjesin e sotëm, ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me të.

Vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë dhe të tjera.

07:03 28.2.2022

Zelensky: Ukrainën e presin “24 orë kritike”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se 24 orët e ardhshme do të jenë kritike për Ukrainën, pasi luftimet me forcat ruse janë duke vazhduar në të gjithë vendin.

Zelensky i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Johnson lavdëroi udhëheqjen e Zelenskyt derisa vendi i tij po lufton me forcat pushtuese ruse.

Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të bëjë gjithçka të mundur, për të siguruar që ndihma mbrojtëse nga Britania dhe aleatët e saj të arrijë në Ukrainë.

Dy udhëheqësit u pajtuan që të mbeten në kontakt të afërt.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Gjatë natës së shkuar u dëgjuan disa shpërthime në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhe zonat përreth.

Ushtria ukrainase tha se trupat e saj arritën të zmbrapsin disa sulme të ushtarëve rusë, që përpiqeshin të sulmonin periferitë e Kievit.

“Ne treguam se mund ta mbrojmë shtëpinë tonë nga mysafirët e paftuar”, tha komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, gjeneral kolonel Alexander Syrsky.

07:18 28.2.2022

SHBA u bën thirrje qytetarëve në Ukrainë të largohen me “opsione private”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të largohen me “opsione private” - gjithnjë nëse një gjë e tillë është e sigurt për ta bërë.

Ajo e cilësoi situatën si “të paparashikueshme” dhe kërkoi “shqyrtim të kujdesshëm” në lidhje me rrugët që ndiqen, pasi, siç tha, shumë prej tyre janë të mbipopulluara dhe të ekspozuara ndaj operacioneve luftarake.

Ambasada gjithashtu paralajmëroi se shumica e kalimeve kufitare në Poloni - e cila shtrihet drejtpërdrejt në lindje të Ukrainës - dhe Moldavi, janë të mbingarkuara dhe se njerëzit atje presin jashtëzakonisht gjatë - ndonjëherë deri në 30 orë.

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) tha se rreth 368,000 njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje qëkur ka nisur pushtimi rus, më 24 shkurt.

Rreth 150,000 prej tyre kanë shkuar në Poloni.

07:39 28.2.2022

Rubla ruse zhvlerësohet në nivel rekord

Monedha kombëtare ruse ra në nivel rekord, pasi G7, apo grupi i vendeve më të industrializuara, vendosi sanksione të ashpra financiare kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Rubla ra të hënën në 114 kundrejt dollarit amerikan, krahasuar me 83.7 në fund të javës së kaluar.

Rubla ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia ka nisur të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.

Në fundjavë, G7 ka bërë të ditur se do të sanksionojë Bankën Qendrore të Rusisë dhe do t’i përjashtojë disa nga institucionet e saj më të mëdha financiare nga sistemi global bankar, i njohur si SWIFT.

Sanksionet e pengojnë aftësinë e Bankës Qendrore për të mbrojtur rublën duke i shitur rezervat e saj në monedhat e G7-ës.

Monedha ruse
Monedha ruse

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG