Rusët frikësohen nga kolapsi i mundshëm financiar
Njerëzit në Moskë dhe qytete të tjera ruse krijuan radhë të gjata para automatëve të bankave për të nxjerrë para në kesh.
Radhë të gjata të qytetarëve u krijuan në mbarë Rusinë sidomos gjatë vikendit nga frika e një kolapsi të mundshëm financiar në këtë shtet, i cili prej 24 shkurtit ka nisur një operacion të gjerë ushtarak për pushtimin e Ukrainës.
Frika tek popullata ruse është shtuar pas vendosjes së sanksioneve të shumta ekonomike ndaj Rusisë duke përfshirë vendimin për përjashtim nga sistemi global i pagesave i njohur si SWIFT.
Mbretëria e Bashkuar ndanë edhe 53 milionë dollarë për Ukrainën
Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë 53 milionë dollarë shtesë për ndihmë humanitare për Ukrainën, tha zyra e kryeministrit britanik.
Ndihma shtesë u dha pas diskutimit të kryeministrit Boris Johnson me homologun e tij ukrainas, Presidentin Volodymyr Zelensky, dhe pas takimeve me krerët e komunitetit ukrainas në Londër gjatë fundjavës.
Financimi do të ndihmojë "agjencitë e ndihmës t'i përgjigjen situatës së përkeqësuar humanitare, duke krijuar një zinxhir shpëtimi për ukrainasit me qasje në nevojat bazike dhe furnizime mjekësore si ilaçe, shiringa, veshje dhe pako për kujdesin e plagëve", thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit britanik.
Këshilli i Sigurimit do të mbajë seancë të posaçme për Ukrainën
Në një veprim të rrallë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar për mbajtjen e një sesioni të posaçëm urgjent të Asamblesë së Përgjithshme për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës.
Takimi, i planifikuar për të hënën, do t'u japë fjalën të 193 anëtarëve për të dhënë pikëpamjet e tyre mbi sulmin, raporton BBC.
Rusia votoi kundër takimit, por sipas një rezolute të veçantë të OKB-së, ajo nuk ishte në gjendje të vërë veton ndaj këtij vendimi.
Rezoluta, e quajtur "Bashkimi për Paqe", u lejon anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të thërrasin një seancë speciale me Asamblenë e Përgjithshme nëse pesë anëtarët e përhershëm (Rusia, SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Kina) nuk mund të bien dakord se si të veprojnë së bashku për të ruajtur paqen.
Lexues të nderuar këtu e ndërpresim mbulimin direkt të luftës në Ukrainë, për t'u rikthyer sërish nga ora 7:00. Në vijim gjeni një udhërrëfyes të shkurtër për të kuptuar të gjitha zhvillimet e ditës së katërt të luftimeve:
- Luftime të ashpra u zhvilluan në lokacione të ndryshme në Ukrainë gjatë vikendit.
- Forcat ukrainase thanë gjatë së shtunës se po shënonin progres në parandalimin e pushtimit.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shprehi gatishmëri që një delegacion ukrainas të takohet në kufirin Ukrainë-Bjellorusi me delegacionin rus. Takimi pritet të zhvillohet gjatë së hënës së 28 shkurtit.
- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin vendosi forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë. Veprimi u cilësua si taktikë e Putinit nga Ukraina.
- Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera, duke përfshirë Shqipërinë vazhduan vendosjen e sanksioneve për Rusinë, mes tjerash duke ndaluar qarkullimin e operatorëve ajror rus dhe aeroplanëve të regjistruar në rusi në hapësirat e tyre.
- Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, po vazhdon ora policore.
- Rusia raportohet se po shkon drejt një kaosi financiar. Mijëra qytetarë në vikend krijuan radhë të gjata para automateve bankare për të nxjerrë para në kesh.
- Bashkimi Evropian u pajtua që të pranojë refugjatë nga Ukraina duke ua mundësuar atyre të qëndrojnë në BE deri në tre vjet pa pasur nevojë të aplikojnë për azil.
- Ikja e ukrainaseve nga luftimet vazhdoi gjatë vikendit. Deri më tani llogaritet se Ukrainën e kanë lëshuar rreth 368 mijë qytetarë.